Krejt çka ndodhi sot me Gjuriqin në veri

314

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë vazhdon t’i shpërfillë institucionet e Kosovës.

Pavarësisht se një ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia ndaloi hyrjen në Kosovë, Gjuriq sot ka vizituar veriun e vendit.

Ai ka marrë pjesë në përurimin e pikës së karburanteve ‘Nis Petrol’, e hapur nga një kompani serbe, raporton KTV.

I pyetur nëse atij i është ndaluar hyrja nga Qeveria e Kosovës, Gjuriq ka ironizuar, duke thënë se i ka shfrytëzuar rrugët alternative, ashtu siç ka bërë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Mediat në Serbi kanë raportuar se pas 17 vjetësh, industria serbe e naftës ka nisur punën në veri të Mitrovicës dhe se përveç kësaj, edhe pika të tjera do të funksionalizohen edhe në Zveçan e Zubin Potok.

Ndërsa, pavarësisht ndalesës që ka pasur për hyrjen në Kosovë, Policia e Kosovës nuk ka dhënë sqarime pse e lejoi vizitën e tij.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e konsideron të papranueshme sjelljen e Marko Gjuriq, udhëheqës i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën i cili hapur ka provokuar në veri institucionet e Kosovës dhe autoritetet e sigurisë.

“Hyrja ilegale në Kosovë është kundër marrëveshjes për vizitat e ndërsjella të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të aprovohen apo ndalohen nga institucionet e të dyja shteteve të paktën 24 orë më herët. Kjo sjellje është kundër frymës së dialogut dhe bashkëpunimit rajonal”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Kjo ministri bënë të ditur se i ka nisur një notë proteste BE-së dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare për këtë sjellje të papranueshme të Gjuriq.

“Përpjekja e tij duke u maskuar në një autoambulancë për tu futur në Kosovë flet për qasjen dëshpëruese që ka vendosur ta ndjek në karrierën politike”, thuhet në reagimin e MPJ-së.


Krejt çka ndodhi sot me Gjuriqin në veri by kohanet

Comments