Krejt çka ndodhi sot rreth pensioneve të veteranëve të UÇK-së, brenda e jashtë Qeverisë

185

Është dita e fundit e shtatorit, por mbi 28 mijë veteranë të luftës ende nuk i kanë marrë pensionet e tyre për këtë muaj.

Kjo ka bërë që dhjetëra veteranë të protestojnë serish para Qeverisë së Kosovës për shkak të, siç thonë ata, padrejtësive që po u bëhen nga ana e qeverisë, raporton KTV.

Ndonëse jo në numër të madh, ata janë indinjuar edhe me faktin se qeveria ua ka ndaluar marrjen e nga dy pensioneve nga skemat e shtetit, kanë bërë thirrje qe ajo të mos përdorë standarde të dyfishta, ku për vete marrin nga dy rroga, ndërsa u mohohet marrja e dy pensioneve atyre që u sakrifikuan për shtetin.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi, ka numëruar pesë kërkesa të cilat, sipas tij, qeveria duhet t’i realizojë para se ata të radikalizojnë format e protestës.

Përveç të tjerave, ata kanë kërkuar që të bëhet një auditim i listave të veteranëve të UÇK-së dhe sa më parë të formohet një komision mjekësor, i cili do ta vërtetonte shkallën e invaliditetit.

Nga ana tjetër, manipulatiorë të luftës i ka quajtur kryeministri Mustafa një pjesë të veteranëve të cilët po pretendojë se kanë qenë në luftë e që kanë fryrë tej mase numrin në këtë kategori.

Ai ka thënë se qeveria ka zero para në dispozicion për pensionet e veteranëve të luftës.

Madje sipas tij, ky do të ishte një veprim i pastër korruptiv, duke shpërdorur paranë publike për individë që janë bërë veteranë, por nuk kanë meritat në luftë.

E ministri i Punës, Arban Abrashi, i cili menaxhon me pensionet e Kosovës, ka thënë se për të bërë pagesat për qershorin, i nevojiten edhe 1.6 milionë euro derisa për të mbuluar këtë skemë deri në fund të vitit i duhen më së paku 15 milionë euro.

Ndërsa ka paralajmëruar një projektligj të ri për skemat e financuara nga shteti.

Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka theksuar se Buxheti i shtetit e ka të pamundur të mbulojë 4,6 milionë euro në muaj vetëm për veteranët, duke theksuar se 32 milionët e dedikuar për këtë kategorinë u harxhuan me 24 gusht.

Në anën tjetër, ministri i Diasporës, Valon Murati, thotë se duhet me guxim t’i hyhet një procesi të rishikimit të listave, të cilat janë manipuluar. Ndërsa zëvendësministër i Kulturës Rexhep Hoti ka propozuar që kjo çështje të nisë nga zeroja.

Ndryshe, Qeveria në mbledhjen e mbajtur, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për liritë fetare në Kosovë; Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike dhe draft-konceptin e dokumentit për bujqësi, zhvillim rural dhe për sigurime shëndetësore.

Comments