Kremlini e quan “trillim” bisedën e Putinit me Trumpin
Kremlini ka mohuar të hënën raportet se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin ditët e fundit.
Për më tepër, Kremlini ka thënë se Putini nuk ka ende plane konkrete për të zhvilluar bisedë me Trumpin, raporton Reuters.
Gazeta “Washington Post”, raportoi e para se telefonata kishte ndodhur, duke cituar burime të paidentifikuara. Sipas gazetës, Trumpi i kishte thënë Putinit se ai nuk duhet të përshkallëzonte luftën në Ukrainë.
“Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Ky është trillim i pastër, është thjesht informacion i rremë”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Nuk ka pasur asnjë bisedë. Ky është shembulli më i dukshëm i cilësisë së informacionit që po publikohet tani, ndonjëherë edhe në media mjaft me reputacion”, ka shtuar Peskov.
I pyetur nëse Putini kishte plane për ndonjë kontakt me Trumpin, Peskov ka deklaruar se nuk ka ende plane konkrete.