Kris Jenner flet për ndërhyrjet e diskutueshme: Për mua do të thotë të plakesh me hijeshi

318
fresco

Kris Jenner flet hapur për vendimin e saj për të “rifreskuar” lifting-un në fytyrë

Kris Jenner, menaxherja e famshme dhe ylli i kopertinës së muajit shtator për Vogue Arabia, 69 vjeç, ka ndarë detaje për ndërhyrjen e saj më të fundit estetike, pas komenteve të shumta që mori për pamjen e saj rinore më herët gjatë këtij viti.

“Kam bërë një lifting të fytyrës rreth 15 vjet më parë, ndaj ishte koha për një rifreskim”, i tha ajo revistës në një intervistë të publikuar më 26 gusht. “Vendosa ta bëj këtë ndërhyrje sepse dua të jem versioni më i mirë i vetes time, dhe kjo më bën të lumtur”.

Jenner, e cila këtë nëntor feston 70-vjetorin, foli më tej për qëndrimin e saj ndaj plakjes:

“Vetëm sepse po plakesh, nuk do të thotë që duhet të heqësh dorë nga vetja,” shpjegoi ajo. “Nëse ndihesh mirë në lëkurën tënde dhe dëshiron të plakesh në mënyrë natyrale – pra pa bërë asgjë – atëherë mos bëj asgjë. Por për mua, kjo është të plakesh me hijeshi. Ky është versioni im”.

Pamja e saj nisi të tërheqë vëmendje në fillim të këtij viti, pas disa postimeve në Instagram që shfaqnin shkëlqimin e saj të ri. Spekulimet u shtuan në maj, kur Jenner shoqëroi vajzën e saj Kim Kardashian në Paris, në gjyqin ndaj të dyshuarve për përfshirjen në grabitjen e vitit 2016 ndaj Kim-it. Më vonë, të dyja morën pjesë edhe në festën e beqarisë së mikes së tyre Lauren Sánchez.

Në atë kohë, revista PEOPLE konfirmoi se nëna e gjashtë fëmijëve kishte kryer ndërhyrje estetike nga kirurgu plastik Dr. Steven Levine në New York, megjithatë Jenner vetë nuk kishte treguar saktësisht se çfarë kishte bërë – deri tani.

“Vendosa të ndaj disa detaje sepse besoj se mund të jetë frymëzuese për njerëzit që nuk ndihen mirë me veten. Edhe kur bëra ndërrimin e ijeve, e xhiruam. Kam bindjen se ndarja e këtyre gjërave mund të jetë ndihmuese,” i tha ajo Vogue Arabia-s.

Jenner gjithashtu tregoi se kush ishte pranë saj ditën e operacionit:

“Sigurisht, vajza ime Kylie ishte me mua, ndërsa Kim ishte gjatë gjithë kohës në FaceTime,” zbuloi ajo.

Të flasësh për ndërhyrjet plastike nuk është diçka e re për Kris Jenner. Ajo ka folur hapur për to edhe në të kaluarën. Në vitin 2015, në emisionin Good Work të E! Entertainment, ajo tregoi për disa operacione në gjoks – përfshirë një ndërhyrje për të rregulluar implantet që kishte vendosur në vitet ‘80. Në vitin 2018, ajo bëri uljen e veshëve në një episod të Keeping Up with the Kardashians. Ndërsa në vitin 2019, ajo konfirmoi se përdorimi i botoksit ka qenë pjesë e rutinës së saj “prej shumë kohësh”.

Comments