Kritikat e presidentes, Kurti: Nuk ka vështirësi që nuk mund ta tejkalojmë

82

Pas shumë ditë heshtjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me kritikat me kunja të presidentes Vjosa Osmani. Kurti ka zgjedhur në mënyrë të kujdeshme fjalët, duke dërguar një mesazh disi pajtues dhe optimist për marrëdhëniet me Osmanin.

Ai ka bërë me dije se vazhdimisht Qeveria ka qenë në koordinim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Shefi i ekzekutivit ka vlerësuar se të arriturat në veri kanë qenë të përbashkëta.

“Unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin Konjufca edhe ministren e jashtme Gërvalla sa i përket politikës së jashtme. Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdoj. Të gjitha vështirësit, sfidat nuk ka të tilla që t’i tejkalojmë. Edhe besoj që kurrë nuk ka qenë gjendja në veriun e Kosovës më e mirë e sigurt se sa tani. Katër komunat atje ka edhe siguri ka edhe zhvillim ka edhe demokraci, jo sa do të duhej por pa krahasueshëm më mirë se sa më parë”, ka thënë Kurti, raporton EO.

Sjellim ndër mend që edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pasur disa fjalë për fjalimin e Osmanit.

“Unë nuk mendoj që presidentja e ka gjetë fjalën më të duhur për ta bërë një kritikë për qeverinë. Mendoj që ka edhe mënyra tjera si shprehet kjo. Mospajtimet gjithmonë i kemi pasë edhe ato janë evidente sidomos për temat, dialogu, asociacioni i komunave, vendimi apo jo i asociacionit ne Kushtetuese veprimet e Qeverisë në veriun e Kosovës… mund të ketë dallime, mirëpo mendoj se duhet të ja ruajmë inegritetin institucioneve dhe përgjegjesisë që e përfaqësojmë. Ma merr mendja që ka hapësirë të madhe që kritikat edhe mospajtimet me i shpreh në mënyra tjera dhe jo me përdorë fjalë të cilat janë goditëse për njëra-tjetrën” – ka thënë kryeparlamentari Konjufca.

Tutje, Kurti ka folur edhe për gjendjen në veri. Shefi i ekzekutivit ka thënë se gjendja atje është stabile.

“Keqbërës, ndonjë elemente terrorist, nuk është që nuk ka, mirëpo, strukturat paralele, grupet kriminale që kanë ekzistuar atje ose kanë ikur në Serbi ose janë në burg në Kosovë. Nuk kemi burime të brendshme të detabilitetit potencial apo kërcënimit të sigurisë të cilët nuk i menaxhojmë, nuk ja dalim në ballafaqim me ta. Besoj që këto janë shprehje e pafuqisë së tyre ndërkohë që janë akte kriminale e terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë. Mirëpo, tash në Kosovë nuk mund të ketë as individ, as grup, as strukur që është më i fuqishëm se sa shteti i pavarur i Kosovës, republika jonë demokratike e cila ngadhënjen rregullisht me fuqinë e ligjit të drejt”, është shprehur Kurti.

Çfarë kishte thënë Osmani?
Në fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, ndonëse nuk kishte përmendur emrin e Kurtit, Osmani kishte pasur shumë kunja. Në një rast, Osmani konsideroi që “lutja bixhoz” me aleancat e Kosovës e cenon “mbrojtjen e Kosovës”.

“Aleancat janë këtu për na të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, lutja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë. Shihni deklaratat e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kalojnë me aleatë, sepse nuk mund të ia dalin vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin i emrit të tyre për të fituar pushtet. Asnjë njëra e as tjera nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleatëve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t`i çoi interesat e Kosovës përpara” – tha Osmani.

Comments