SPB Shkup – Njësia për krime ekonomike sot pasdite sekuestroi dokumentacion shtesë dhe privoi nga liria dy persona, të dyshuar për situatat që lidhen me mosveprimin dhe mosmenaxhimin e mbeturinave në Shkup. Sipas informacioneve fillestare, pritet që sot pasdite kundër tyre të ngrihen kallëzime penale në Prokurorinë Publike, transmeton Portalb.mk.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, zyrtarët e policisë po ndërmarrin veprime për të siguruar prova. Dy persona nga menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup janë ndaluar dhe paraburgosur, në lidhje me dyshimet për vepër penale sipas nenit 230 të Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria.
Midis të ndaluarve është Sabahadin Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, i cili u emërua në këtë pozicion më 29 janar 2025, si pjesë e koalicionit të kryetares së Qytetit Danela Arsovska dhe BDI-së.
Rustemi, i cili konsiderohet si kuadër i afërt me Blerim Bexhetin, paraprakisht mbajti pozicionin e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Saraj” (2017–2021), dhe më pas ishte ndihmës drejtor në Ndërmarrjen Publike “Parqe dhe Gjelbërim” – Shkup (2023–2024).
Ai ishte i njohur në publik për deklaratat dhe akuzat kontroverse për përhapjen e intolerancës kombëtare, ndërsa mandati i tij në “Higjiena Komunale” përkoi me periudhën më të vështirë të kaosit të mbeturinave në Shkup.
Në javët e fundit, qyteti është mbuluar me mbeturina, gjë që ka shkaktuar reagime serioze nga publiku dhe paralajmërime shëndetësore nga ekspertët. Sipas raportimeve të mediave, drejtori rrallë vinte në punë, merrte rrogë dhe nuk merrte masa për të pastruar qytetin, megjithëse kriza ishte bërë alarmante.
Përveç kësaj, ka dyshime kundër tij për abuzim financiar brenda ndërmarrje, gjatë së cilës u derdhën miliona fonde, ndërsa automjetet dhe makineritë nuk funksionuan për javë të tëra, duke e lënë qytetin në kaos dhe me shëndetin publik në rrezik serioz.
Problemi i kushteve johigjienike në qytet u përshkallëzua në mes të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, kur, ndër të tjera, zgjidhet pasardhësja e kryetares së Qytetit Danela Arsovska, e cila në periudhën e ardhshme do të duhet të merret me problemet më urgjente në Qytetin e Shkupit – ndër to është edhe mbeturinat.
Lidhur me problemin me mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveria i ngarkoi inspektoratet kompetente, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të fillojnë inspektim të jashtëzakonshëm të koordinuar për të përcaktuar situatën me mbeturinat komunale, dhe me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse.

