Kriza e naftës, KUÇI: Nuk ka vend për panik nga bllokada në“Evzoni” (VIDEO)

173

Kriza e naftës, KUÇI: Nuk ka vend për panik nga bllokada në“Evzoni” (VIDEO)

Kamionët që transportojnë naftë nga Greqia për në Maqedoni kanë ngelur të bllokuar në pikën doganore Evzoni. Pas shqetësimit të shoqatës së Transportuesve “Makam-Trans”  se vendi do të ngelet pa naftë, nëse vazhdon bllokada e bujqve grek, nga Drejtoria e Rezervave Shtetërore të Naftës thonë se nuk ka vend për shqetësim.

 

Ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi theksoi se nuk do të vijë puna për shfrytëzimin e rezervave shtetërore.

“Nuk ka edhe aq intenca për gjendjen alarmante, pasi që ka pika kufitare edhe në Bullgari dhe mund të vijnë prej andej. Por, ne nuk duam që kompanitë në fjalë të kenë kosto të shtuar dhe të harxhojnë në kohë. Shpresojmë që në ditët në vijim të gjejmë një zgjidhje, e cila do të jetë në dobi të gjithë qytetarëve, pasi që jo vetëm nafta, por ka edhe shumë produkte tjera që po bllokohen dhe kjo shkon në dëm të ekonomisë së shtetit”, tha Kuçi.

Drejtori Ulusi Beqiri thotë se aktualisht rezervat shtetërore janë për 70 ditë dhe nëse do të ketë krizë Qeveria do të veprojë.

“Në qoftë se vjen deri tek kriza dhe mos furnizimi nga të gjitha anët, atëherë me vendim të Qeverisë, në i lëshojmë në përdorim rezervat e naftës. Dhe besoj se kemi mjaftueshëm për të gjitha nevojat që ka shteti dhe qytetarët e Maqedonisë. Momentalisht, kemi 70 ditë mbulesë”, tha Beqiri.

Sipas dokumentit të kësaj drejtorie, në raste të krizës, për 70 ditë janë në dispozicion rreth 27 milion litra benzinë, mbi 134 milion litra naftë, rreth 11 milion litra vaj ekstra i lehtë dhe mbi 16 milion kilogram mazut.

Kompania greke “Hellenik Petrolium” si importuesja kryesore e naftës nga Greqia përmes kompanisë së saj OKTA në Maqedoni thotë se bllokada në Evzoni ka ndikuar në importin, por sipas planifikimeve të saj, furnizimet po realizohen pandërprerë.

“Informojmë konsumatorët tanë se, përkundër rritjes së shpenzimeve, ne do të vazhdojmë me furnizimin e tregut të naftës, duke i shfrytëzuar të gjitha alternativat e mundshme. Gjithashtu, sapo të marrim leje, jemi të gatshëm të vazhdojmë të importojmë naftë përmes naftësjellësit që i lidh kapacitetet në Shkup me rafinerinë në Selanik. Ky projekt jep zgjidhje përfundimtare për furnizim të pandërprerë të vendit me lëndë djegëse”, nga Hellenic Petroleum – OKTA.

Shpenzimet vjetore për 2016 të derivateve të naftës sipas bilancit energjetik kanë qenë qindra milionë derivate të naftës. Nga Drejtoria e rezervave të detyrueshme të naftës dhe derivateve të naftës, thonë se për vitin 2017 janë planifikuar të blihen edhe rreth 20 milion litra naftë dhe derivate të saj.

Bilanci energjetik i shpenzimeve vjetore të derivateve të naftës gjatë 2016:

Euro Super BS 95 – 142 milionë litra

Euro Dizel BS – 700 milionë litra

Vaji Ekstra i lehtë – 58 milionë litra

Mazuti – 86 milionë kg

Rezervat shtetërore përdoren vetëm në raste të krizës, por me ndryshimet e ligjit në vitin 2014, përdorimi i derivateve nga rezervat e kësaj drejtorie mund të përdoret me vendim të Qeverisë edhe në rastet kur kanë nevojë emergjente institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, shkollat, spitalet dhe institucione tjera publike.

Comments