Kriza e ujit në Tetovë mbyllet: analizat tregojnë se uji është i sigurt për pije

36
fresco

Pas disa ditëve kufizime si rezultat i ndotjes dhe turbullirave nga reshjet, analizat tregojnë se uji në Tetovë është i pijshëm, raporton Portalb.mk.

“Nga IPSH rezultatet na tregojnë se uji është i pijshëm dhe me cilësi të mirë”, informoi Ndërmarrja Publike Komunale për ujësjellës “Sharri”.

Drejtori i ndërmarrjes Valon Zeqiri tha se edhe përkundër fatkeqësive natyrore që ndodhën nga shiut masiv që shkaktoi turbulenca të mëdha, sot gjendja është më stabile dhe se kanë arritur të kthejnë në sistem 100 L më shumë nga ditët e kaluara.

“Për momentin jemi duke furnizuar qytetin me 300 L në sekondë së bashku me të gjithë pusetat ku deri nesër pritet të ketë deri në 350 L në sekondë”, tha Zeqiri.

Ditëve të fundit, ashtu si çdo vjeshtë kur ka reshje, Tetova është përballur përsëri me ndalesa dhe restrikcione të ujit, kjo për shkak të ndotjes dhe turbullimit në disa burime.

Ndërsa për shkak të pamundësisë së trajtimit te stacioni i filtrimit në Lisec, u ndal furnizimi me ujë të pijshëm nga Leshnica.

Këto probleme kanë shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët.

Ndërkaq, nga Ndërmarrja Publike për Ujësjellës “Sharri” edhe pse konfirmuan se do të përgjigjen në pyetjet tona, deri më tani nuk u përgjigjën se përse me vite nuk ka zgjidhje konkrete të përhershme që kur ka reshje mos të ketë ndotje në burime dhe bllokim nga gjethet, pse stacioni i filtrimit nuk mund të trajtojë ujin në filtra kur ka turbullira të mëdha nga shiu, pse nuk investohet në këtë drejtim, a ka zgjidhje konkrete për këtë problem, nëse po, cila është ajo dhe pse nuk është implemetuar deri tani? Nëse është në plan, kur?

Kujtojmë se ditë më parë, NPK-ja njoftoi se për shkak të rënieve të gjetheve në këtë stinë të vitit në linjën kryesorë të ujësjellësit në Leshnicës ka rënie të sasisë të ujit që e furnizon qytetin.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.

Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.

Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Comments