Krushqit nga Sllupçani marrin nusen me motorë në Kumanovë (Video)
Krushqit nga Sllupçani marrin nusen në Kumanovë me motorë të tipit “Harley Davidson” dhe me veturën “Renault Cabrio” model i viteve 1950 – të, njofton portali mesportistët.com.
Në fakt, profesori i gjuhës angleze Ardian Deari nga Sllupçani. i ka dhënë fund beqarisë, pasi që të mërkurën është martuar me profesoreshën e gjuhës gjermane Arjeta Ibishi nga Kumanova.
Ardianit për ta marrë nusen në Kumanovë, e kanë shoqëruar grupi i motorëve “Dardanians MC”, të cilët kanë qenë në krye të karvanit, ndërsa vetura e parë menjëherë pas motorëve ka qenë vet dhëndri, i cili e solli nusen në shtëpinë e tij në Sllupçan.
“Ëndërrën time fëmijërore me marrë nusen me motora ma bënë të mundur shoqëria dhe grupi “DARDANIANS MC”, ka thënë për “Me Sportistët” dhëndri i ri, profesori Ardian Deari.
Dasmat e kësaj ane pothuajse për çdo vit po sjellin ndonjë risi. Nëse në të kaluarën jo të largët, karvanët e dasmorëve janë përcjellë me pajtone, limuzina e vuvuzela, tani ka filluar edhe me motorë.
Kështu ndodhi edhe në dasmën e Ardian Dearit nga Sllupcani dhe Arjeta Ibishit nga Kumanova
Këtë herë bëri përshtypje se karvanët e dasmës u shoqëruan me motorë ku në mesin e banorëve të Sllupcanit, të komunës së Likovës por edhe të Kumanovës, me kureshtje të madhe e kanë përcjell këtë moment, i cili ka sjellë befasi të këndshme në dasmat tradicionale të kësaj ane.