KRYETARI I RDK-SË MEMEDI U PRIT NGA AMBASADORI SHQIPTAR FATOS REKA


Kryetari i RDK-së Vesel Memedi së bashku me bashkëpuntorët e tij Shpat Iseini dhe Berat Abdullau u prit në ambasadën shqiptare në Shkup nga ana e ekselencës së tij Fatos Reka dhe konsulit të ambasadës Alfred Hoxha.
Siç citohet në njoftimin e partisë, në këtë takim mjaft përmbajtësor dhe miqësorë u bisedua rreth aktualitetit politik në vend, solucionet për dalje nga kriza, zgjedhjet e dhjetorit, si dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme për kombin dhe dy vendet respektive, për t’u ballafaquar me sfidat që e presin Ballkanin perëndimor në përgjithësi.
Kryetari i RDK-së Memedi duke falënderuar ekselencën e tij Reka për pritjen në ambasadën shqiptare, theksoi se Ballkani perëndimor ndodhet para një sfide të përmasave të mëdha, dhe për këtë arsye kërkohet komunikim i ndërsjelltë në mes Maqedonisë dhe Shqipërisë me qëllim që të përballemi më lehtë me sfidat e kohës.
Memedi njoftoi ambasadorin shqiptar se RDK-ja ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përballjen me krizën politike në vend, duke qenë një nga partitë më konstruktive dhe më avangarde në ofrimin e solucionit për dalje nga kjo krizë e thellë dhe mjaft delikate.
Kryetari Memedi gjithashtu theksoi se zgjedhjet nuk ofrojnë zgjidhje për krizën, por se RDK-ja do të marr pjesë në zgjedhje që janë paraparë të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti.