Kujtimet e trishta të Anesës

256

Image result for children cry

Urim SALIHU
Ajo ka një kohë që kërkon lodrat, gjërat që e magjepsnin.Ajo i kërkon natë e ditë, por stuhitë e gushtit ia shkatërruan të gjitha.është një copë dëshire fëmije që do ketë gjithë jetën e saj frikën nga shiu, stuhitë, shkatërrimi që sjellë një vërshim.Anesa të vetmen gjë që ka është jeta e shtrenjtë që mund ta kishte humbur më 6 gusht.Ajo ka kohë për t’u rritur.Sepse Anesa nuk është si Elifi që e ka fshehur Toka.Nuk është si ajo që secilën ditë rrit trishtimin dhe shuan shpresën nëse do të gjindet ndonjëherë.Sa fëmijë si ajo vuajnë parreshtur në Hasanbeg dhe ne akoma nuk dijmë gjë.

Anesa nuk i ka më ato ditë të magjishme në shpirtin e saj.Dicka ia trazoi dhunshëm.Vetëm për disa orë u shkatërrua gjithcka .Anesa nuk ka lodrat, nuk ka kujtimet që ia vodhi muzgu i trishtuar i 6 gushtit.Ajo humbi të gjitha cfarë kishte.Humbi edhe fletoren ku kishte shkruar me pasion fjalët më të cmuara për moshën e saj.Ajo fluturat , diellin, peisazhet që i kishte vizatuar nuk i ka më.Jeta e saj u nda në dysh midis kujtimeve të para kësaj vere dhe pas saj.Para i kishte fotografitë me buzëqeshjen ngazëllyese ndërsa pas ka traumat e një fatkeqësie që shumë herët erdhi në jetën e saj dhe la gjurmët e përjetshme.Do ketë mbase kohë të harrojë,vetëm nëse lufta midis kujtimeve të trishta të saj dhe ëndrrës për të ardhmen nuk bëhet e ashpër.
Anesa ka humbur një copë të fëmijërisë që ndodhet diku në ato gërmadha vdekjeje , shkatërrimi .Ajo ka humbur një copë jete të jetuar me njerëz ,disa prej të cilëve nuk janë më.Disa kujtime të saj u shkatërruan mizorisht.Anesa ka akoma jetë përpara por në ditën e parë të shkollës do t’i mungojnë librat, fletoret.Ajo i humbi të gjitha në atë gusht fatkeq që treti ëndrrën e një fëmije .Anesa nuk do të jetë më kurrë njëjtë sic ishte para se stuhitë e vdekjes të vinin në Hasanbegun e saj të shtrenjtë.

Comments