Kukësi-Flamurtari, sa shumë mungesa në të dy kampet

440
fresco

Sezoni i ri  Kukësit dhe Flamurtarit erdhi me shumë ndryshime, duke nisur nga stoli e deri tek grupi i lojtarëve. Natyrisht, këto lëvizje kanë sjellë edhe luhatjet në paraqitje, pasi skuadrat e riformatuara nuk mund të përshtaten me “shpejtësinë e  dritës”. Blutë, që në 10 takime kanë regjistruar 3 humbje, ç’ka nuk është më e mira e mundshme për një skuadër e cila synon titullin, duket se kanë gjetur një ritëm pozitiv pas dy fitoreve të njëpasnjëshme.

Tradita flet në favor të verilindorëve, të cilët janë dorëzuar vetëm një herë përballë kuqezinjve në 19 ndeshjet e fundit. Problemet nuk mungojnë për trajnerin Armando Cungu në prag të kësaj sfide, Çyrbja është dërguar tek skuadra e dytë, Maliqi ka kryer stërvitje i diferencuar, po ashtu si Dzaria, ndërsa Shameti, megjithëse u përfshi në përgatitjet e ekipit mbetet në dyshim, pa harruar Rrumbullakun e Musollin, që do të mungojnë më gjatë. Tekniku shkodran do të jetë i detyruar të ketë dy formacione në mendje dhe gjithçka do të vendoset duke parë shpejtësinë me të cilën do të rikuperohen lojtarët e dëmtuar.

Ndërkohë që nuk është se po lulëzon mirëqenia në kampin vlonjat. Dënimi i Idriz Bathës nga ana e Komisionit të Disiplinës ka ndikuar në planet e trajnerit Ilir Daja, teksa ka plotësuar numrin e kartonëve Emiliano Musta, ky i fundit pritet të zëvendësohet nga Kotobelli. Kjo përballje, e cila është edhe një ndër kryesoret e raundit të 11-të, do të zhvillohet këtë të premte, në orën 14:00, në stadiumin e Kamzës.

Comments