Kunguj gjigandë në Cërvicë të Kërçovës.
As mosha, as koha e as vendi nuk duhet të bëhen pengesë për të provuar diçka ndryshe. Këta dy kunguj gjigant që i shihni, i ka mbjellë e rritur Zenel Xhaferi nga fshati Cërvicë i Kërçovës.
Ai është 77 vjeç dhe jeton me bashkëshorten. Për të kaluar kohën kultivon fruta e perime që nuk gjenden lehtë në vendin tonë.
Farën për mbjelljen e këtyre dy kungujve e ka marrë në Kanada para 10 viteve. I ka mbjellë në maj, sepse siç thotë, temperaturat për rritjen dhe zhvillimin e këtij kungulli duhet të jenë mbi 25 gradë.
Një kungull të madh e ka kultivuar edhe para 12 viteve, po ai thotë se pranvera e hershme dhe moti i ngrohtë këtë vit ka ndihmuar që këto të rritën më shumë se ai i para disa vitesh.
Nuk bën plan të mbjellë më, sepse siç thotë, mosha e bën të veten, por është i gatshëm t’ia japë farën kujtdo që dëshiron ta mbjellë.
Axha Zenel ka mbjellë edhe fasule të llojit të madh, pagurë, domate, speca dhe fruta e perime të tjera të llojit të veçantë, të cilat ata piqen, i mbledh dhe i shpërndan nëpër miq e familjarë.