KUR DIPLOMACIA E HUMB DURIMIN, POLITIKA KOSOVARE BËN HUMOR

137

Më 12 shtator, ndërkohë që në Washington ra kambana e rëndë e pezullimit të dialogut strategjik me Kosovën, në Prishtinë ambasada amerikane e ktheu alarmin në akt konkret. Charge d’affaires Anu Prattipati u ul në një tavolinë të vogël me tre liderë të mëdhenj opozitarë: Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn.
Mesazhi ishte i prerë: “Bëhuni bashkë, formoni qeverinë, sepse koha nuk pret.” Në çdo vend normal, një thirrje e tillë nga një diplomate amerikane do të kishte shkaktuar tronditje politike dhe lëvizje të menjëhershme. Në Kosovë, natyrisht, ajo u interpretua si një ftesë për një lojë të re shahu me gurë të lodhur.
Memli dhe Ramushi, për çudi, e lexuan drejt mesazhin. Haradinaj madje bëri atë që askush nuk priste prej tij: “Merrni votat e mia dhe mos më jepni asgjë në kthim.” Një akt që, po të mos ishte Ramushi, do të dukej i shkruar nga ndonjë manual i politikës perëndimore mbi kompromisin shtetformues.
Pastaj vjen Lumiri. Ai është i aftë të mbajë qëndrime vetëm në Facebook, ku shpall të tjerët të paditur, ndërsa vetë rri në rolin e profesorit që nuk pranon të hyjë në klasë nga frika se mos ia ndotin katedrën. Nuk do qeveri të tre partive, por nuk ofron asnjë alternativë tjetër. Ai duket sikur pret që zonja Prattipati të marrë kutitë zgjedhore, t’i mbushë vetë me vota dhe t’ia dorëzojë si dhuratë.
Në këtë mes, Ramushi tha fjalën më të saktë: derisa kemi akuzuar Kurtin për të gjitha dështimet, nëse sot nuk veprojmë dhe nuk e marrim përgjegjësinë e formimit të qeverisë, atëherë nga nesër dështimet do të jenë edhe tonat.
Kosova nuk është në luksin e një opozite që zgjedh të rrijë rehat dhe të shohë nga dritarja si digjet qyteti. Dhe nëse klasa politike nuk arrin ta kuptojë këtë mesazh, atëherë nuk është më problemi i Albinit, por i tyre.

Comments