Kur Mulla Ilaz Broja ligjëronte: Pa Atdhe nuk ka Fe

319

Studiuesi Bajram Mjeku ka postuar në facebook një shkrim për familjen Spahija nga Kostërci i Drenicës. Ai e përshkruan si familje që për tre breza sakrifikuan për Kosovën e pavarur. Sipas tij, Mulla Ilaz Broja-Spahija është njëri ndër burrat më fisnikë të Kosovës, slogani i të cilit ishte “Pa Atdhe nuk ka Fe”.

Shkrimi i plotë i Mjekut:

Sakrifica e tre brezave Spahija për Kosovën e pavarur

Familja Spahija nga Kostërci i Drenicës, për tre breza u sakrifikua për Kosovën e pavarur. Është Mulla Ilaz Broja – Spahija ndër burrat më fisnikë të Kosovës. U lind në vitin 1892 dhe ishte ndër tetë fëmijët më inteligjent të Cenë Hysenit, prandaj u dërgua t’i merrte mësimet e para në Vushtrri, derisa në vitin 1916 mbaroi Medresenë e Pejës.

Mulla Ilaz Broja gjithë jetën përdori sloganin: “Pa Atdhe nuk ka Fe”. Ky slogan u bë imperativ i kohës. Qysh i ri u anëtarësua në organizatën politike Xhemjeti (Bashkimi), i cili udhëhiqej nga Ferat Draga. Në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, u anëtarësua edhe në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, i cili udhëhiqej nga Hoxhë Kadri Prishtina.

Duke përdorur autoritetin e tij edhe si pjesëtar i klerit fetar, Mulla Ilaz Broja ndikoi shumë te popullata e kësaj ane të mos shpërngulet në Turqi. Në zgjedhjet e vitit 1938 në Jugosllavinë e Versajës, Mulla Ilaz Broja ishte shef i Shtabit Zgjedhor në Drenicë dhe u përkushtua që shqiptarët e kësaj ane të votonin myderiz Asim Luzhën nga Gjakova. Mulla Ilaz Broja shquhej për ligjëratat e tij. Në lutjet e së premtes, besimtarëve u fliste për nevojën e hapjes së shkollave shqipe dhe ndalimin e gjakmarrjes. Pas kapitullimit të Jugosllavisë së Versajës, Mulla Ilaz Broja u angazhua fuqishëm në organizimin e vullnetarëve shqiptarë në mbrojtje të kufijve etnikë me luftëtarë nga Drenica, Shala, Dukagjini, Podguri e rajone tjera të Kosovës. Ai luftoi krah përkrah Shaban Polluzhës e Miftar Bajraktarit. Në vitin 1943, Mulla Ilaz Broja mbështeti platformën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Si përfaqësues i Drenicës, kërkoi mobilizim të përgjithshëm në mbrojtje të kufijve etnikë, derisa në dimrin e vitit 1943, u vu në krye të njësiteve vullnetare në Kolashin, duke luftuar kundër forcave partizano-çetnike.

Aktivitetet ushtarake e politike të Mulla Ilaz Brojës ishin të mëdha deri në dhjetor të vitit 1946. Mulla Ilaz Broja nga organet e OZNA-s (Shërbimi Sekret i Ushtrisë jugosllave), u ekzekutua në shkurt të vitit 1946. Kufoma e tij u mbajt peng për tre ditë e pavarrosur në Xhaminë e Brojës. Banorët e kësaj ane, kundërshtuan me vendosmëri të pashoqe regjimin serb dhe trupin e tij e varrosën në oborrin kësaj xhamie ku shërbeu për tridhjetë vjet.

Djali i tij Ibrahim Spahija, është po ashtu ndër aktivistët e shquar politik gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili ndoqi gjurmët e të atit. U lind në vitin 1924 dhe kreu Medresenë e Shkupit. Kur u hap liceu Sami Frashëri në vitin 1941 në Prishtinë, Ibrahim Spahija ishte ndër nxënësit e parë të këtij liceu. Në moshën 17 vjeç u anëtarësua në Rininë Balliste i frymëzuar nga profesori i tij Luan Gashi, njëri ndër figurat më të shquara të kohës.

Për shkak të aktiviteteve politike, Ibrahim Spahija nga regjimi jugosllav u dënua me pushkatim, por më vonë dënimi u shndërrua në 20 vjet burg. Kur u prishën marrëdhëniet e Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik në vitin 1948, Josip Broz amnistoi të burgosurit politikë, të cilët i përkisnin moshës së re. Këtë fat e pati edhe Ibrahim Spahija, i cili mbajti vetëm disa vjet burg. Gjatë gjithë regjimit komunist, familja Spahija ishte e anatemuar dhe për këtë një kohë të gjatë jetoi në Shkup.

Faruk Spahija, është djali i Ibrahim Spahisë dhe nip i Mulla Ilaz Brojës. U lind më 25 qershor të vitit 1952 në Mitrovicë, ndërsa mbaroi Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës.

Autori i këtyre radhëve, ishte mik i mirë me Faruk Spahinë. Bashkëpunoi me të gjatë okupimit serb e më vonë. Faruk Spahija ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë e më vonë edhe funksionar i lartë i kësaj partie. Pas luftës së fundit, me votën e sovranit dhe me autoritet të pakontestushëm që e gëzonte ai dhe familja, dy herë u zgjodh kryetar i Mitrovicës. Faruku do të mbahet mend për dinjitetin, mprehtësinë dhe urtinë e tij politike. Fati e deshi të mos e përfundojë mandatin e dytë si kryetar i Mitrovicës, pasi ndërroi jetë në tetor të vitit 2005 kur ishte vetëm 53 vjeç.

Faruk Spahija i mungon më së shumti Mitrovicës së ndarë

13626519_277739322584155_1091866842316450579_n

Comments