Kurti godet LDK’në që dikur ia rrëzoi Qeverinë

236

Kryeministri Albin Kurti është kujdesur ta sulmojë sërish opozitën gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti foli për “momentet kulmore” të LVV-së gjatë viteve të fundit, duke theksuar formimin e Qeverisë Kurti 1, e cila sipas tij, nuk zgjati për shkak të interesave jo të njëjta me LDK-në, me të cilën negocioi jo pak për të bërë koalicion, raporton Gazeta Express.

“Në tetor të vitit 2019 dolëm të parët në zgjedhje, dhe në shkurt të vitit 2020 e krijuam qeverinë e parë të udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, qeveria Kurti 1 siç po e quajnë ata që kanë qejf të numërojnë. Kjo qeveri nuk zgjati shumë sepse na qëlloi partneri jo i qëndrueshëm për interesa shtetërore e kombëtare”, tha Kurti.

“Por, gjatë atyre muajve që qëndruam në drejtim, e luftuam drejtpërdrejt korrupsionin, e mbrojtëm Kosovën, duke hequr nga bordet ata që s´e meritonin, duke rezistuar suksesshëm projektin për shkëmbim territorial, dhe duke vendosur gjithandej profesionistë të ndershëm e duke e afruar popullin i cili e donte Republikën më shumë se çkado tjetër”, shtoi ai.

Më pas, përmendi fitoren e “referendumit” të 14 shkurtit 2021.

“E sot e kemi qeverinë sërish nën drejtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në aleancë me Guxo e Alternativën, që po e quajnë qeveria Kurti 2, ata që kanë qejf të numërojnë. Nuk do t´ua prishim qejfin, nuk do t´ua ndalim numërimin”, tha Kurti.

Comments