Kurti i përgjigjet akuzave të presidentit për hyrjen në dhomën e përgjimeve në Telekom
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot komunën e Prishtinës, ku është takuar me kryetarin, Shpend Ahmeti.
Para mediave, Kurti ka folur edhe për akuzat e mbrëmshme të presidentit Thaçi, se ai bashkë me Xhelal Sveçlën e Haki Abazin ka vizituar dhomën e dëshmive në Telekomin e Kosovës, shkruan lajmi.net.
“Ato janë gënjershtra, shpifje. Problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë njëherë, duhet të gënjejnë përditë. Të gjitha ato shpifje për neve, nuk do të duhej të ishin vetëm pyetje të juaja për mua, por edhe pyetjet e kryeprokurorit për presidentin. Po e theksoj edhe njëherë se dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte të mijat. Ata kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e dëshmive, ata kanë dëshirë ta uzurpojnë pozitën e kryeministrit”, është përgjigjur Kurti ndaj akuzave të presidentit.
Ndërkaq, sa i përket takimit me Ahmetin, Kurti tha se është diskutuar për situatën e pandemisë dhe liberalizimin e masave.
“Diskutuam se si mund t’ia dalim nga kjo krizë shëndetësore me sa më pak pasoja e humbje në këtë moment shumë të rëndësishëm. Tash që po i liberalizojmë masat, është e domosdoshme që ta shtojmë vigjilencën. Pra kurrë nuk mjafton të përsëriten masat për mbajtjen e distancës, higjienës dhe mos-praktikimin e vizitave familjare. Si qeveri në detyrë bashkëpunojmë me të gjitha komunat, e në veçanti me Prishtinën, andaj edhe gjatë muajit qershor ne do të bashkërendohemi që liberalizimi i masave të jetë sa më efikas”, tha Kurti. /Lajmi.net/