Kurti në Tiranë, takim me Begajn, pritet të takohet edhe me Ramën dhe Nikollën

114

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Presidencë, i shoqëruar nga një delegacion.

Ai është pritur në hyrje nga presidenti Bajram Begaj, ku parashikohet të kalojë rreth 30 minuta me kreun e shtetit për të shkuar më pas në kryesinë e Kuvendit, ku do të takohet me Lindita Nikollën.

Një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama është planifikuar jashtë ndërtesës së kryeministrisë.

Pas drekës me Ramën, Kurti do të ketë një takim edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Marrëveshja e Ohrit Kosovë- Serbi, e cila mori formë por pa nënshkrime, pas 10 orësh bisedime, do të jetë në qendër të takimit Rama – Kurti.

Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.

SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman. Një takim zyrtar I Kurtit pritet të zhvillohet në orët e para të ditës edhe në kryesinë e Kuvendit me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Comments