Kurti: Një herë e kemi shtyrë vendimin, dhe jemi marrë vesh që kjo është shtyrja e fundit
Kryeministri Albin Kurti nuk dha shenja se do ta ndryshojë qasjen e tij në raport me zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia.
Ai tha se një herë Kosova e ka shtyrë vendimin më 31 korrik, ndërsa tha se “jemi marrë vesh që kjo është shtyrja e fundit”, raporton Gazeta Express.
Kurti tha se duke e marrë parasysh brengën e ndërkombëtarëve kanë vendosur ta sekuencojnë zbatimin e këtij vendimi.
“Duke e pasur parasysh brengën ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, ne kemi bërë diferencim në qasje e sekuencim në zbatim. Dhe e kemi përdorë ligjin që ofron mundësinë e qortimit, konkretisht tri javë, të gjobave pastaj, konkretisht dy muaj, dhe vetëm më pastaj, periudhën e targave të përkohshme”, tha kryeministri.
Kjo, tha shefi i Qeverisë, “bëhet duke i njoftuar ata paraprakisht”.

