Kurti u kërkon takim Krasniqit dhe Abdixhikut, LDK e refuzon menjëherë

92
fresco

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuti, ka kërkuar një takim me liderët e LDK-së dhe PDK-së më 1 maj, me synimin për të diskutuar formimin e institucioneve të reja, pas ngërçit institucional të krijuar si pasojë e dështimit për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Takimi është paraparë të mbahet të enjten në orën 08:30.

“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit në adresë të LDK-së dhe PDK-së.

Burimet e Nacionales konfirmuan se ftesa është pranuar nga të dyja partitë opozitare. Nga Lidhja Demokratike kanë refuzuar menjëherë pjesëmarrjen, duke i thënë Nacionales se nuk do ta mbështesin asnjë kandidat të VV-së për pozitën e kryekuvendarit.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, tha se kjo parti nuk do ta mbështesë asnjë anëtar të VV-së për pozitën e kryetarit të Kuvendit, pasi zgjedhja e personit në krye të këtij institucioni kërkon “marrëveshje politike”, të cilën, tha ajo, nuk mund ta bëjnë me LDK-në.

“Nuk kemi votë për asnjë anëtar të LVV si kryekuvendar, teksa për nënkryetar e mirëkuptojmë që nuk është barra e njëjtë e neutralitetit dhe jemi dakord këdo që e propozojnë dhe e votojmë si pako. Një nënkryetar na takon me Kushtetutë, është e drejtë që e kemi fituar me rezultat zgjedhor, andaj nuk kemi pse ta diskutojmë me kryetarin e VV. Ndërkaq, kryekuvendari kërkon marrëveshje politike – por jo me ne.” – tha deputetja e LDK-së për Nacionalen.

midle

Në këtë kontekst, deputetja e LDK-së tha se një qëndrim i tillë “qartëson mjaftueshëm” se ata “nuk marrin pjesë në takim.”

“Në takim nuk marrim pjesë, meqë e mësipërmja qartëson mjaftueshëm dhe nuk kemi pse të diskutojmë asgjë shtesë. Për kryekuvendar, le të diskutojë me partitë që kanë gatishmëri të votojnë kandidatë të tjerë të VV.” – tha Kica-Xhelili për Nacionalen.

Refuzimin e ftesës e konfirmoi edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, i cili i tha Nacionales së nuk marin pjesë në asnjë takim me VV-në.

“Ka ftesë. Nuk marrim pjesë në takim, njëkohësisht kryetari Abdixhiku nuk është në Kosovë. Për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit, të përcaktuar si vende përfaqësimi të partive, nuk është çështje diskutimi sepse janë pozita të përfaqësimit partiak. Çështja e Kryetarit të Kuvendit është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim.” – tha ai.

Kujtojmë se për herë të tetë radhazi deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituojnë Kuvendin të martën, me kandidaturën e Albulena Haxhiut që sërish nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme.

Comments