Kusari: Draft-statuti i Asociacionit mund të ndryshojë, ndërkombëtarët thonë se s’ka nivel të tretë të qeverisjes

237

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është e bindur se drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë, nuk krijon një mekanizëm të ri të pushtetit të tretë qeverisës që mund ta rrezikojë shtetësinë apo kushtetutshmërinë e Kosovës. Megjithatë, ajo thotë se shqetësimet e krerëve të vendit janë në disa aspekte që mund të krijojnë dykuptimësi në zbatim, andaj sipas saj, edhe qeveria ka adresuar komente te ndërmjetësit e dialogut, por për të cilat thotë se ende s’ka marrë përgjigje.

Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress përmend mundësinë që drafti të pësojë ndryshime, dhe paraqitet më e rezervuar të komentojë në detaje, mirëpo thekson se aleatët e Kosovës, veçmas SHBA-ja, ka garantuar se nuk do të lejojnë krijimin një niveli të tretë qeverisës në Kosovë.

“Ne nuk flasim për asnjë mekanizëm të ri, qoftë institucional apo në nivel të organizimit të nivelit komunal që mund të rrezikojë shtetësinë e Kosovës apo kushtetutshmërinë e vendit. Pasi janë një mori mekanizmash dhe gjatë gjithë kohës është folur për mos sjelljen e situatës në të cilin krijohen probleme apo minohet rendi kushtetues apo defunksionalizohen mekanizmat e caktuar qoftë të ekzekutivit apo nivelit lokal…Jo absolutisht. ne nuk e kemi as konceptin e shtetit federal. Rendi kushtetues i Kosovës është i qartë si republikë parlamentare me dy nivele të qeverisjes, atë lokal dhe qendror. Si e tillë nuk pritet dhe nuk ka asnjë hapësirë dhe mundësi të ndryshohet. Por mbi tërë këtë janë edhe garancitë e partnerëve, gjegjësisht aleatëve në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ka pasur kërkesa apo insistime se kjo mund të krijojë një sistem të tretë të qeverisjes në Kosovë kam qenë vet prezentë ku ka pasur reagime të përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it, në kundërshti me këtë teori apo presupozim”, thekson Kusari-Lila.

Shefja e deputetëve të LVV-së në Kuvend mirëpret publikim e draftit të Asociacionit dhe shpërndarjen e tij te partitë opozitare.

Kusari-Lila e sheh pozitive edhe shpalljen në kërkim të ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

Krahas kësaj, ajo nënvizon se moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, është qëndrim parimor i institucioneve të Kosovës.

Në anën tjetër, Kusari-Lila mirëpret edhe kërkesën për nisje të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

Comments