Kusari-Lila: Me urgjencë të mblidhemi në Kuvendin e Kosovës ta ndalojmë Thaçin

166

Kryetarja e Alternativës, deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka ftuar të gjitha partitë parlamentare që me urgjencë të mblidhen në Kuvendin e Kosovës dhe “t’i japin drejtimin e duhur shtetit tonë”, sikur është shprehur ajo.

Në një postim në faqen e saj në Facebook, Kusari-Lila ka alarmuar për rrezikun e lartë nga veprimet dhe deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, bërë kohët e fundit, që sipas saj, janë në kundërshti me aktin më të lartë të shtetit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë:

Presidenti Kosovës Hashim Thaçi i vetëmandatuar për të udhëhequr negociatat me Serbinë, i përkushtuar të manipulojë dhe të krijojë konfuzitet si brenda Kosovës ashtu edhe jashtë saj, në Alpbach kërkoi mbështetje nga BE dhe SHBA për “pajtimin shqiptaro-serb”, ndërsa ende nuk ka ardhur në Kuvendin e Kosovës të kërkoj autorizim për planin më të rrezikshëm që nga viti 1999 të cilin e promovon pandalë, “korigjimin” e kufijëve me Serbinë.

Presidenti i Kosovës pa mandat nga organi më i lartë i vendit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me qasjen e tanishme i barazon krimet e Serbisë në Kosovë me viktimat e Kosovës, duke përdorë gjuhën e cila neutralizon çfarëdo dallimi midis dy shteteve, në referencë të procesit të dialogut.

Duke e marrë parasysh rrezikun e lartë që këto veprime dhe deklarata të Presidentit të vendit i sjellin Kosovës dhe popullit të saj, në kundërshti me aktin më të lartë të shtetit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ftojmë të gjitha partitë parlamentare që me urgjencë të mblidhemi në Kuvendin e Kosovës dhe t’i japim drejtimin e duhur shtetit tonë, natyrisht pa Presidentin e Republikës.

Comments