Kush do të jetë mandatari i radhës? Maleski: mandati duhet t’i jepet LSDM-së; Kadriu: Ivanov të ndjekë logjikën e njëjtë si me VMRO-në

177
Pas skadimit të afatit ligjor për formimin e shumicës së re parlamentare, mandati duhet t’i kalojë partisë tjetër që ka më shumë deputetë, vlerëson profesori universitar, Denko Maleski.
Veç kësaj, presidenti mund të apelojë që të ofrohet partia e cila në afat të caktuar kohor mund të dëshmojë se ka siguruar shumicën e re parlamentare, sqaron ai.
“Partia e cila fitoi më shumë dhe lideri i saj e morën mandatin dhe ai u përpoq të formojë qeveri. Ishte mirë që opinioni pati mundësi të ndjekë se çfarë po ndodh dhe në fund doli se ai nuk është në gjendje të krijojë shumicën. Tani është e nevojshme që procedura të vazhdojë. Këtë e potencoj pasi që fillojnë debate rreth asaj se a duhen të ketë zgjedhje të reja. Zgjedhje të reja janë mundësi, kuptohet,  por në fund, atëherë kur të shterren të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje në kuadër të kësaj përbërje parlamentare. Kjo do të thotë se mandati do të mund t’i jepet udhëheqësit të partisë së dytë, LSDM-së, që edhe ajo të përpiqet të formojë qeveri ose kryetari të ftojë që të paraqitet partia parlamentare e cila do të jetë në gjendje në afat më të shkurtër se ky i deritanishmi, të formojë qeveri”,- deklaroi profesori universitar, Denko Maleski.
Profesori universitar, Bekim Kadriu, duke sqaruar procedurat, thotë se presidenti i vendit duhet të ndjekë logjikën që imponoi që në fillim me ndarjen e mandatit.
“Meqë në rastin e parë mandati iu besua një subjekti që kishte një numër të caktuar të deputetëve, pra 51, dhe nëse ai subjekt nuk siguroi shumicë paralamentare për zgjedhjen e qeverisë, tani e njëjta logjikë duhet të zbatohet edhe në rastin tjetër dhe mandati t’i besohet subjektit tjetër me radhë, i cili ka më pak deputetë, pra partia e dytë ka në rastin konkret 49 deputetë. Kjo është logjika që e imponon vetë presidenti i shtetit prej rastit të parë që tani duhet ta zbatojë edhe në rastin e dytë”,- theksoi profesori universitar, Bekim Kadriu.
Pritet të shihet tashmë lëvizja e radhës e presidentit të shtetit në interpretimin e Kushtetutës dhe se cili do të jetë mandatari i radhës, pasi Maqedonia dhe rajoni tashmë kanë precedencë në interpretimin kushtetues në situata të ngjashme,e që mund t’i hapin rrugën kreut të shtetit që duke u bazuar në paqartësitë që dalin nga Kushtetuta, të mund të taktizojë për të anashkaluar LSDM-në dhe mandatin sërish t’ia delegojë një anëtari tjetër të VMRO-së.
Comments