
“Ti që nuk lexon, je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë, por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon, i bën të gjitha të zezat: shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafioz”.
Por edhe ti që shkruan në vend të atyre që s’guxojnë të shkruajnë, edhe ti e deformon historinë, na e le mollën e sherrit në mesin tonë, na e humbe dashurinë për atdheun, na e shëmtove mendjen, na e shpëlave trurin ose na e mbushe mendjen ashtu, që as shekujt nuk mundën t’i dalin ballë shëmtisë dezinformuese, edhe ti na sjell belanë.
Edhe unë nuk do të isha aq trim edhe sikur të isha i lindur në kohën e pasluftës së dytë botërore, atëherë kur kufijtë për ne nuk ndryshuan, atëherë kur vendimet e Konferencës së Bujanit u përdhosën, atëherë kur nuk e njihte qeni të zonë, atëherë kur vendimet e ndarjes territoriale ishin në favorin e madh të Serbisë, atëherë kur Kosova së dyti mbeti ndër Serbi: të bëja diçka të madhe, të shkruaja të vërtetën.
Mllefin e kam kundër atyre që sot shkruajnë dhe i frikohen të shkuarës së rrezikshme, që sot shkruajnë, sepse janë të porositur për dezinformim, që sot shkruajnë pse ashtu ua ka ënda.
Fole, or mik, dhe thuaje të vërtetën, sepse je në shtetin e pavarur të Kosovës; fole, or mik, fole të vërtetën se PPSh-ja ka vdekur; fole, or mik, të vërtetën dhe tash sheh edhe Evropa që je duke e gëzuar hisen e saj në lirinë tonë!
A mos ishte Enver Hoxha njeriu i gabuar për Shqipërinë, në kohën e duhur për Serbinë? Enver Hoxhën e mbanim për simbol të bukurisë dhe mençurisë.
Një njëri të logjikshëm, pra në njërën anë paskemi pas gabuar. Por ne nuk ishim femrat e Beogradit, të rraskapitura nga dhunimet e çlirimtarëve rusë që vraponim pas një burri të bukur. Ishte kjo kur ai e vizitoi Beogradin.
Enver Hoxha ishte i ngjitur në rrjetën e merimangës serbe dhe vështirë e kishte të shqitej. Ishte edhe i rrethuar nga vendorët tradhtarë.
Të shkoqej nga rrjeti i merimangës duhej mjeshtri, por ai këtë nuk e kishte. Ishte totalisht në kurthin serb. Mjerë ai! Edhe nga agjentët serbë që shkonin në Shqipëri, nuk e dallonte të mirin dhe të keqin.

Cili ishte i miri?
Kishte edhe nga ata, por serbët me qëllimet e tyre drakonike na bindën edhe neve që ta duam tradhtarin për atdhetar, e atdhetarin për mashtrues. Fajet i kishte Enver Hoxha. Enver Hoxha, i gjendur në mes tradhtisë së shqiptarëve dhe dhelpërisë serbe, pse nuk iku dhe të shpëtojë veten dhe Shqipërinë! Ishte sedra e tij e lënduar, e arnuar dhe e njollosur që nuk e lejonte. Pse nuk iku që të shpëtonte Shqipëria?
Por, sidoqoftë, roli i Jugosllavisë, apo më mirë të themi roli i Serbisë në PKSh ka qenë shumë specifik dhe me shumë kurthe antishqiptare. E vërteta e atij bashkëpunimi është një mister i madh.
Arkivat shqiptare nëse nuk janë zhdukur, e kishin për të treguar të vërtetën ashtu si ishte.
Por edhe kjo varet nga rrethanat politike në Ballkan, Evropë dhe më gjerë.
Një gjë është e sigurt, që arkivat serbe nuk lejohen aq lehtë të «lexohen», sepse Serbia e ka një fuqi të madhe të vetëdijes së saj politike dhe kurrë nuk i jep hapësirë publikimit të emrave të bashkëpunëtorëve të saj, kudo qofshin ata në tokat shqiptare apo për cilën do kohë që mbahen arkivat.
Arsyeja është shumë e thjeshtë, se bashkëpunëtori i Serbisë (nga shqiptarët) mbahet i shantazhuar që nga stërgjyshi e deri tek nipi i ditëve të sotme. Kultura e tyre politike është shumë e lartë, gjë e cila tek shqiptarët le për të dëshiruar.
Në dorë kam një libër të mrekullueshëm të autorit Avni R. Këpuska «Bashkimi mbarëkombëtar», 2016, Prishtinë. Autori i librit ka arritur që me kompetencë të flasë me anën të argumenteve shkencore të nevojshme dhe të bollshme për periudhat e ndryshme historike.
Nëse historia e LANÇ është shkruar ashtu siç është «dashur» të shkruhet, tani e kemi kohën në duart tona që ta shkruajmë ashtu siç ka ndodhur. Këtë e bën edhe Avni R. Këpuska në librin që përmenda më sipër.
Argumentet janë shumë kokëforta dhe duhet patjetër të lexohet edhe libri i Dr. Skënder Rizajt «E drejta historike e shqiptarëve për vetëvendosje», të cilin e citon edhe autori kur shkruan se Milladin Popoviçin e kanë vrarë vetë serbët.
Nacionalisti shqiptar, të cilit i vishet vrasja e Milladinit, ishte vrarë po atë ditë, por nja tri orë më herët.
Na tregonin tinëz se kur nëna e Milladinit e qante kufomën, thoshte: «Ubili su te tvoji!», pra ishte koha kur shushurihej sepse nuk guxohej të flitej «Milladin, të vranë të tanët».