Kush është Naim Murseli, personi i cili dyshohet për vrasjen e gruas së tij

643

Të mërkurën e 29 nëntorit Prishtina dhe i gjithë vendi u trondit nga dy vrasje që ndodhën brenda dy orësh.

Një grua është vrarë këtë të mërkurë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Ajo dyshohet se u vra me armë zjarri.

Sipas informatave që posedon redaksia, dyshohet se fillimisht Murseli, i cili ishte me familje në veturë, ishin cak i një grabitjeje, ku pas të shtënave nga grabitësit mbeti e vrarë gruaja e tij.

Por, sot është konfirmuar nga Policia e Kosovës së njëri prej personave të arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Murselit është Naim Murseli.

Përveç Murselit, është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, nga Gjakova, i cili në deklaratën e tij para policisë ka pranuar se ka kryer veprën dhe ka deklaruar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro për një gjë të tillë.

Naim Murseli në Kosovë njihet për angazhimin e tij si pjesë e stafit të ngushtë të kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Profili i tij në rrjetin social “Facebook”, shihen fotografitë e shumta që Murseli ka publikuar nga jetesa luksoze që ka bërë, në Suedi, por edhe në udhëtime të ndryshme bashkë me Pacollin.

Të shumta janë edhe fotografitë e tij me gruan, Liridonën, e cila është varrosur sot në fshatin e saj të lindjes në Gjakovë.

Sipas të dhënave që janë të disponueshme në internet, Murseli e ka kryer edhe shkollën e mesme në Gjimnazin “Agnebergs” në qytetin Uddevalla nga viti 2006 deri në vitin 2009 në Suedi, megjithatë nuk dihet se në çfarë drejtimi.

Pas kësaj, Murseli ka regjistruar Shkollën për Biznes në vitin 2010 për të diplomuar më pas.

Nga viti 2011, ai ka punuar në Suedi si shitës dhe agjent i shitjes në kompani të ndyrshme suedeze.

Ai gjithashtu figuron si themelues i një kompani mediale dhe se është marrë edhe me marketing në Suedi.

Naim Murseli [1990] ka qenë i martuar me Liridona Murselin dhe me të ka dy fëmijë.

Prokuroria jep detaje për vrasjen e Liridona Murselit: Është sekuestruar arma, të dyshuarit po intervistohen

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e Naim Murselit dhe dorasit, me inicialet G.P të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.

Sipas prokurorisë, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj tyre prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Comments