Kuvend, ende s’janë kompletuar trupat punës, Xhaferi: “Besa” të caktojë kryetarin e anketueses

124

Gjashtë muaj nga konstituimi dhe dy muaj nga zgjedhja e kryetarit të ri, Kuvendi ende nuk funksionon me kapacitet të plotë, për shkak se ende nuk janë kompletuar të gjitha trupat punues, delegacionet parlamentare, këshillat dhe as grupet parlamentare për bashkëpunim.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ftoi grupet parlamentare dhe deputetët që të dëshmojnë në vepër konstruktivitet dhe të delegojnë kandidatë për kompletimin e këtyre trupave kuvendorë.

“Dua t’u apeloj grupeve parlamentare, deputetëve që në seancën e radhës të Komisionit për emërime dhe zgjedhje të kompletojnë edhe përbërjen personale të delegacioneve të përhershme të parlamentit për bashkëpunim me institucionet përkatëse ndërkombëtare dhe delegacionet e miqësisë me parlamentet e shteteve tjera”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Qasja e këtillë e frenon edhe bashkëpunimin me parlamentet e tjera dhe asambletë parlamentare. Pa kompletuar ka mbetur edhe Komisioni i përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit. Pozicioni i kryetarit të këtij komisioni i takon opozitës dhe partitë janë dakorduar që me të udhëheq Lëvizja “Besa”.

Mirëpo kjo e fundit nuk ka deleguar kandidat për kryetar komisioni, kështu që kryeparlamentari ka autorizuar një anëtar tjetër të komisionit që të kryesojë me këtë trup, përkatësisht deputetin e LSDM-së, Pavle Bogoevskin.

“Në sajë të kërkesave të mija për të përmbyllur çështjen e përbërjes personale të këtij komisioni, mbi bazë të kompetencave të mia, kam konvokuar seancën e parë të këtij komisioni dhe kam përcaktuar njërin nga deputetët, gjegjësisht Pavle Bogoevskin, i cili do udhëheq me seancat e këtij komisioni deri në zgjedhjen e kryetarit të këtij trupi punues”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Veç mungesës së zgjedhjes së kryetarit të këtij trupi, Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërime ka bërë edhe gabime teknike duke caktuar një anëtar dhe një zëvendësanëtar më tepër, përkatësisht ka vendosur dy deputetë me të njëjtin numër rendor.

Me këtë gabim, dokumenti është publikuar edhe në Gazetën Zyrtare. Mirëpo, Xhaferi tha se ky gabim teknik do të mënjanohet nga trupi amë në seancën e radhës, që pritet të mbahet javën e parë të korrikut.

SHPËTIM NUREDINI

Comments