Ky i dënuar tregon orët e ferrit: Nuk na lanë të ndihmojmë Flamurin, më duket se na duan të vdekur!

139

Moebel THEMA

Nuk na lanë të ndihmojmë Flamurin, më duket se na duan të vdekur!

 

Orët e ferrit mes të burgosurve të Shënkollit të shtunën pasdite nxorën në pah paaftësinë dhe reagimin skandaloz të policisë së burgjeve.

Nëse policët do të kishin pasur nën kontroll situatën jeta e 34 vjeçarit Flamur Sulaj do të ishte shpëtuar. Ende nuk është e qartë se kush e mori vendimin që të burgosurit duhej të mbaheshin mbyllur në qelitë që digjeshin, por ngjarja nxori në pah kaosin në burgje dhe mungesën e organizimit.

Telefonata rrëqethëse e njërit prej të burgosurve në momentin e djegies së shokut të tyre u botua në gazetën Shekulli. “Flamuri vdiq” i ka thënë i burgosuri gazetarëve, pasi ka parë ta nxjerrin nga qelia trupin e pajetë të 34 vjeçarit.

“Mirë që nuk na lënë të hymë të ndihmojmë shokët dhe miqtë tanë të sektorit të andejshëm, por duan edhe të na vrasin. Po qëllojnë, s`di në drejtim të kujt, por më duket se na duan të vdekur…” kaosi i krijuar nga reagimi i gardianëve ka qenë fatal për Fatmir Sulajn, por mund të kishte marrë jetën e shumë të tjerëve.

9 vetë mbetën të asfiksuar, të gjithë të mbyllur si në kurth, në qelitë që digjeshin në flakë.

“Është nga Miloti. Më duket se është i dënuar për tentativë vrasjeje. Nuk po më lënë të afrohem dhe të kuptoj se çfarë dreqin ka ndodhur, por një punonjës i policisë së burgjeve që po qëllon këtu në ajër më thotë se ka rënë zjarr në kuzhinë.

Nuk di se si do dalin të tjerët, por këtu kaloi më shumë se gjysmë orë dhe nuk po vjen asgjë. Nuk shoh asnjë përpjekje për të shuar zjarrin dhe kemi frikë se do digjen të gjithë kati i dytë për së gjalli. Askush nuk hap dyert se shkojmë e i ndihmojmë vetë dhe nuk kuptoj; pse vijohet duke qëlluar me armë!!!”.

Breshëritë e armëve u qëlluan nga policët e burgjeve që pas rënies së flakëve kishin frikë se të burgosurit do të dilnin jashtë. Një filmim i bërë publik ditën e djeshme tregon të burgosur të cilët hidheshin nga kati in tretë i godinës në tokë, ndërsa policia e burgut qëllonte në ajër nga frika e ndonjë arratisjeje të mundshme të të burgosurve.

Policia e burgjeve qëlloi vazhdimisht me breshëri armësh jashtë burgut nga frika se të burgosurit do të arratiseshin.

Kaosi tregoi mungesën e një plani emergjence në raste të tilla, ndërkohë që informacionet që erdhën nga autoritetet mbeten kontradiktore. Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve kërkuan ta kalojnë ngjarjen si aksidentale, ndërsa ISHTS rrëzoi këtë version.

Ende nuk dihen emrat e të burgosurve që janë shtruar në spital, të cilët mbahen nën vëzhgimin e rreptë të policisë në spitalin e Lezhës.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Comments