“Lagja e Trimave”, të akuzuarit kontestojnë fotografitë e prokurorisë



Ata në gjykatë thanë se fotografitë janë të montuara dhe nuk përputhen me realitetin. Mirsad Ndrecaj në fotografi paraqitej pa lëndime, por sipas të akuzuarve ai ka qenë i lënduar në fytyrë.
“Ata janë të sigurt që është në fotografi Mirsad Ndrecaj, mirëpo janë të sigurt që nuk mund të ketë qenë në atë pozitë si është i gjetur sipas foto-albumeve, jo në atë vend ku është i gjetur, nuk ka mund të jetë dhe nuk ka pasur ndonjë opsion që të mos jetë i lënduar tek fytyra. Kemi konfuzione me fotografitë dhe me vetë obduksionin dhe me deklaratat e këtyre të akuzuarve”,– deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Ndërkohë që sot asnjë nga të akuzuarit nuk u ankua për keqtrajtime nga ana e policisë. Pala mbrojtëse ka denoncuar rastet e keqtrajtimeve paraprake, ndërkaq ka kontaktuar edhe ministrin e Drejtësisë dhe zëvendësministrin e Brendshëm për të intervenuar.
“Për mua rezultat është ajo që sot nuk u ankua asnjë prej të arrestuarve, e jo më ekipi i njësive speciale dhe keni të drejtë që është ndërmarrë ndonjë hap, pasi që nuk është ankuar askush. Rrallë mos ankohet askush prej të akuzuarve, kjo është hera e parë”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Prokuroria Publike për tre seanca pritet të përmbyll prezantimin e provave përfshi këtu edhe bisedat telefonike. Pala mbrojtëse thotë se dëshmitë nuk kanë të bëjnë me terrorizëm, ndërkaq pas deklaratave të të akuzuarve do të thërrasin për të dëshmuar 60 dëshmitarë.