Për shkak të formës së jashtëzakonshme, mesfushori i Skënderbeut Liridon Latifi është në qendër të vëmendjes pasi ditën e enjte do të luajë kundër Mlada Boleslav në ndeshjen e vlefshme për turin e 3-të kualifikues të Europa Leagues.
Në një intervistë për ‘Panorama Sport”, Latifi foli për kualifikimi dhe synimet e klubit korçar.
Tashmë ju pret Mlada Boleslav. Si e parashikoni përballjen me çekët?
Besoj se gjatë javës do të marrim më shumë informacione që të jetë e mundur. Jam i bindur se trajneri nëpërmjet analizave do të na japë informacionet e nevojshme për këtë ekip. Do të shohim se çfarë skuadre është dhe normalisht përderisa ka arritur deri ën këtë pikë, tregon që është ekip i fortë dhe do respekt maksimal. Do ta trajtojmë njësoj si Kairat Almatin. Çdo nënvlerësim do të jetë në dënim tonë.
A mund ta quajmë si një ekip të kalueshëm dhe ndoshta më të dobët se Kairati?
Besoj se po, por do ta shohim kur të luajmë. Përderisa arritëm të kalonim Kairatin, atëherë nuk jemi inferiorë me askënd. Me përqëndrim mund ta kalojmë edhe këtë.
Sa larg mund të shkojë Skënderbeu në Europë?
Mladën shpresoj ta kalojmë dhe më pas të shohim se çfarë ekipi do të kemi përballë në “Play Off”, ku mund të kemi shanse të kapim edhe grupet në Europa League. Nëse na bie ndonjë emër i madh përballë atëherë do të jetë një mision i pamundur. Objektivi ynë është të kapim grupet, por mbetet e vështirë edhe pse fati në short do të thotë shumë.