
Pas paraqitjeve fantastike gjatë sezonit të kaluar, Lazio konfirmon Thomas Strakoshën si portierin e parë të Lazios. Të paktën në parim, edhe sepse në futboll fanella e titullarit duhet të fitohet në fushën e lojës.
Megjithatë, me talentin 22-vjeçar në portë te bardhkaltërit ndihen të sigurt dhe këtë e konfirmon fakti që Federico Marchetti nuk udhëtoi së bashku me pjesën tjetër të skuadrës për fazën përgatitore në Auronco.
Lamtumira e “gardianit” veteran nga Lazio duket gjithmonë e më pranë. Marchetti, ashtu si edhe Djordjevic që do të transferohet te Genoa nuk u vendosën nën urdhërat e trajnerit Simeone Inzaghi. Të dy lojtarët u lanë jashtë grumbullimit nga trajneri i stolit, që konfirmoi në këtë mënyrë se ata nuk janë më pjesë e planeve të klubit për sezonin e ardhshëm.
Lënia jashtë e Marchetti-t është një tregues se Strakosha fitoi garën për të qenë portieri titullar te Lazio, duke konsoliduar pozitat e tij në skuadër pavarësisht moshës fare të re. Talentit kuqezi i mjaftoi vetëm një vit pas rikthimit nga huazimi te Salernitana që të bindte drejtuesit e klubit dhe tifozët për forcën që zotëron.