LD rikthen pr.ligjin për PPS-në në Kuvend

265
fresco
midle

Një ditë pas refuzimit të dy projektligjeve të lidhura me PPS-në, Lidhja Demokratike dorëzoi në Kuvend propozim-ligj për ndryshime të Ligjit për Prokurorinë Publike Speciale dhe propozim-ligjin për ndryshime të Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur, në procedurë të rregullt.

Sipas kreut të kësaj partie, Pavle Trajanov, me miratimin e ligjeve në procedurë të rregullt krijohet mundësi për diskutim në komisionet përkatëse dhe në seancë plenare.

“Absolutisht ka mundësi, konform rregullores, që të zhvillohet debat parlamentar për këto dy ligje dhe të miratohen. Pres mbështetjen e të gjithë deputetëve dhe në fund, për shkak të rrethanave të përgjithshme, sipas të gjitha gjasave do të krijohet edhe presion nga opinioni, shqyrtimi profesional dhe debati i ekspertëve, që pres të përfshihen në këtë proces, pres që të mbizotërojë ndjenja për përgjegjësi dhe shumica e deputetëve të mbështesin këto propozim-ligje”,- deklaroi Pavle Trajanov nga LD.

Partitë shqiptare janë të mendimit se projektligjet duhet të hartohen dhe miratohen me konsensus. Mirëpo, përderisa BDI lë hapësirë për të ndërtuar qëndrim pasi të shqyrtojë tekstin e ligjeve, PDSh është e prerë, do të jetë kundër nismave për të cilat nuk është konsultuar paraprakisht.

“Nëse dikush mendon se ne si PDSh do të ndjekim iniciativa të njëanshme, të kujtdo qofshin ato, dhe paraprakisht ata të mos marrin guximin as edhe të na konsultojnë apo të koordinohemi për të njëjtat. Kjo nuk do të ndodh. Kjo qasje veçse e devalvon punën e prokurorisë, e kurrsesi nuk e ndihmon atë”,-theksoi Imer Aliu nga PDSh.

“Fillimisht do të shohim se çfarë propozon deputeti, Pavle Trajanov, dhe çka mbajnë ato ligje në vete. Gjithsesi se pas shqyrtimit të ligjeve grupi parlamentar do të ndërtojë qëndrim, bashkë me kryesinë qendrore të BDI-së, por theksoj edhe një herë se duhet të kemi parasysh se ligje të tilla duhet të miratohen me konsensus, pasi që Marrëveshja e Përzhinës u miratua me konsensus dhe ne qëndrojmë pas PPS-së”,- u shpreh Rafiz Haliti nga BDI.

LSDM është e vetmja parti që paralajmëroi se do të mbështesë projekt/ligjet e propozuara nga LD, por nuk beson se mazhoranca mund të ndryshojë qëndrim.

“Po, do ta mbështesim. Pas asaj që ndodhi dje, nuk presim asnjë ndryshim nga struktura qeverisëse. Reagimi i bashkësisë ndërkombëtare dëshmoi atë që ne përpiqemi ta sqarojmë se mbështetja për prokurorinë nuk duhet të jetë vetëm deklarative, por reale”,- theksoi Goran Sugarevski nga LSDM.

VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë asnjë projekt/ligj që ka të bëjë me PPS-në, pasi, sipas kësaj partie, çdo gjë që është dakorduar mes katër partive është përfshirë në Ligjin për PPS-në. “VMRO-DPMNE nuk ka ndërmend të fsheh ose mbështesë punën joprofesionale, joligjore dhe joobjektive të PPS-së”,- thonë nga VMRO-DPMNE.

Comments