LDSHM vjen me reagim për Referendumin

874

LDSHM mbështet fuqishëm të gjitha organizatat politike dhe jopolitike, joqeveritare, si dhe individët, të cilët me qëndrime konstruktive, parimore dhe të argumentuara, bëjnë ftesë popullatës shqiptare për bojkot të referendumit për marrëveshjen e emrit të IRJM. Njëkohësisht,dënon ashpër dhe i konsideron të neveritshme insinuatat për “lojë të VMRO-së” dhe “qëndrime pro ruse”, qëndrimet parimore të LDSHM dhe të gjithë atyre që përkundër presionit qeveritar të mbështetur nga klasa politike shqiptare e kapur, patën vizionin dhe kurajën për të denoncuar në mënyrë të argumentuar mashtrimin e planifikuar me këtë marrëveshje të dëmshme për shqiptarët.

Askush nuk mund të akuzojë se “bën lojën e VMRO” dhe “ka qëndrime pro ruse” diasporën, e cila mbajti mbi supe tre luftëra të shqiptarëve dhe dha me dhjetëra dëshmorë, djem të rinj, që lanë çdo gjë në vendet e botës perëndimore ku jetonin, duke kapur armët në mbrojtje të vendlindjes.

Janë pikërisht bashkëpunëtorët e deri djeshëm të VMRO-së pro ruse më të zëshmit në këto akuza dhe insinuata, sot mercenarë të qeverisë nga radhët e BDI-së, të cilët kryeministri Zaev, pasi i denoncoi me fakte në bombat e tij për krime, në bashkëpunim me VMRO, i kurseu nga burgu për t’i shërbyer sot atij në lojën e mashtrimit të shqiptarëve.

Vet qëndrimi i pavendosur i VMRO për të bojkotuar referendumin dhe gjasat e mëdha për ta votuar atë, i nxjerrin sa qesharake aq edhe ulëta këto insinuata.

LDSHM refuzon lojën e qeverisë dhe klasës politike shqiptare të kapur, që kërkojnë të fusin shqiptarët në ciklin pafund të dhënies së provave pa mbarim për miqësinë ndaj Evropës dhe SHBA, si dhe përkushtimin ndaj integrimeve në NATO dhe BE, ndërkohë që populli ynë, pa diskutim, është i vetmi në rajon që ka qëndruar i pa luhatur në këto sprova.

Sakaq, interesi i shqiptarëve dëmtohet dhe sakrifikohet vazhdimisht për llogari të fqinjëve.

Po sikur pyetja e referendumit të qe: “A jeni për integrimin në NATO dhe BE duke votuar ndryshimet kushtetuese për t’i hapur rrugë statusit shtetformues të shqiptarëve?” si do votonin shqiptarët? Po sllavo maqedonasit? Kush do të rezultonte pro NATO-s dhe euro integrimeve dhe kush kundër?

Comments