Lëndë plasëse në veturë, policia bën shpërthim të kontrolluar
Një shtetas ka pasur lëndë plasëse në pjesën e pasme të makinës, e ndërsa policia ka kryer shpërthim të kontrolluar.
Forcat policore kanë saktësuar se më datë 04.02.2017, është marrë njoftim se tek ura e Gjormes në autostradën Mamurras-Laç, në mjetin me targë AA339LZ me drejtues shtetasi K.V. , në bagazhin e mjetit është konstatuar një qese e mbështjellë me natriban , brenda së cilës dyshohej se kishte lëndë eksplozive.
Pas kësaj, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë që kanë bërë të mundur sigurimin e vendit të ngjarjes.
“Më pas kanë mbërritur ekspertët xhenier të cilët kanë kryer veprimet përkatëse duke bërë skanerin e pakos e cila ka rezultuar lëndë plasëse.
Ekspertët xhenier janë përpjekur që ta lëviznin pakon nga bagazhi i makinës dhe ta vendosnin në tokë që të kryenin demontimin e saj por ishte shumë e vështirë, pothuajse e pamundur si lëvizje .
Të ndodhur në këto kushte , ata kanë bërë shpërthimin e kontrolluar të lëndës plasëse aty ku ishte i vendosur dhe për pasojë është dëmtuar pjesa e pasme e mjetit”, thuhet në njoftimin e forcave blu.
Grupi hetimor po vazhdon veprimet përkatëse për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Shekulli/