Lepaja: Partitë shqiptare në Maqedoni të merren vesh rreth një platforme

156

Fadil Lepaja

Njohësi i çështjeve politike nga Kosova, Fadil Lepaja, ka thënë se partitë shqiptare do të duhej të merren vesh për një platformë të përbashkët nacionale për shqiptarët në Maqedoni.

“Ata duhet të krijojnë një listë të kushteve nën të cilat nuk do të pranonin asnjë koalicion. Personalisht mendoj se shqiptarët duhet të rreshtohen me ndryshimet, porse në asnjë çast nuk duhet të vënë në pyetje rrugën e tyre euroatlantike”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, ajo që i ka munguar politikës shqiptare në Maqedoni është se nuk kanë krijuar një konsensus rreth kërkesave të patjetërsueshme, që kanë të bëjnë me pozitën e  barabartë të shqiptarëve atje. “Kjo do të evitonte lojën e nacionalistëve maqedonas në dëm të shqiptarëve, sidomos lojën e përçarjes”, ka shtuar Lepaja.

Megjithatë ai ka thënë se nëse shqiptarët, të rreshtuar gjithnjë pas ndryshimeve që çojnë drejt integrimeve euroatlantike dhe atyre për demokratizimin e Maqedonisë, do të arrinin këtë konsensus nacional, pastaj edhe dallimet eventuale programore nuk do të çonin peshë kur bëhet fjalë për pozitat e tyre atje.

“Nga ky konsensus për mendimin tim nuk duhet të përjashtohet asnjë subjekt politik e madje edhe ato jopolitike, të cilat janë të interesuara ta avancojnë pozitën kushtetuese të tyre në Maqedoni”, ka thënë ai. Sipas Lepajës, kjo është shumë e rëndësishme për arsye se gjatë votimit të ligjeve të ndryshme vota e secilit është me rëndësi, pavarësisht se a ndodhet në pozitë apo në opozitë.

Sipas tij më e keqja që mund t’u ndodhë shqiptarëve atje është të vazhdojnë me konfrontime për probleme që i kanë shkaktuar nacionalistët maqedonas dhe zyrtarë të shtetit që janë kundër  demokratizimit të vërtetë dhe emancipimit të pozitës kushtetuese të komuniteteve atje.

“Sidomos është e rrezikshme loja me fabrikmin e dosjeve, dhe  montimit të skandaleve, të cilat prodhojnë grindje të pafund dhe largim të vëmendjes prej temave  strategjike”, ka thënë ai.

Comments