Letra e polices për kolegun e vrarë po thyen zemrat në rrjet
Nga Bora MIKLI
Isha duke punuar në zyrë, edhe pse zyrë e vogël, por modeste me llogjistikën e nevojshme për të kryer detyrën e Zëdhënëses së Policisë Vendore.
Po bëja gati raportimin e telefonatave që Drejtori i Policisë Vendore dhe Shefat e Komisariateve kryejnë me qytetarët në kuadër të policimit në komunitet, por njëkohësisht edhe monitoroja median si detyrë funksionale, jo monitorim në kuptimin e kontrollit, por për të ndjekur dinamikën e punës së policisë që pasqyrohet në media.
Si e re në detyrë, jam shumë e fiksuar pas “Lajmit Flash” dhe sa herë që kam për të dhënë një lajm pozitiv për strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, përpiqem që lajmi të dalë “Flash”. Por flashi i mesditës së të Premtes së zezë, ishte tronditës për mua.
Fillimisht lajmi për një të sëmurë me të meta mendore që po qëllon me armë duke terrorizuar banorët e fshatit Torovicë në Lezhë, më pas policia drejt vendngjarjes, policia rrethon banesën, policia përplaset me armë me autorin, nga përplasja me armë plagoset një efektiv policie.
Sinqerisht m’u mbushën sytë me lotë, e shumë emocione hakmarrje më mbërthyen dhe fillova të flisja me vete, po pse se vrisni? si mund të guxojë të qëllojë mbi policinë? mbi shtetin”, si mund të plagosë një punonjës policie që është në shërbim të komunitetit?
Pas pak minutash kolegu ynë ndërroi jetë. Nuk e di a i raportova në rregull apo jo telefonatat në qendër, por di që u mbyta në lotë e dhimbje, edhe pse nuk e njihja fare atë koleg që ndërroi jetë në krye të detyrës, pasi Ai kishte afro 18 vite punë , ndërsa unë kam rreth 18 muaj që kam filluar këtë rrugë të vështirë plot sfida e sakrifica, por shumë fisnike.
Pasi mbarova punën, u largova në banesë ku prindërit vunë re trishtimin tim dhe me të drejtë u shqetësuan se çfarë më kishte ndodhur, pasi në zonën ku banoj s’kishte drita për momentin dhe nuk kishin ndjekur lajmet për të mësuar atë që kishte ndodhur.
Pasi i sqarova prindërit për arsyen e gjendjes time emocionale, mami im më thotë: “Mos bëmë gabim moj vajzë që të çuam në shkollën e Policisë”.
Unë jam ende fëmijë, e se di ndjesinë e prindërit për fëmijën, por i ktheva një përgjigje as mohuese as pohuse dhe sëbashku po ndiqnim lajmin e fundit “Flash”.
Në vendngjarje kishin mbritur drejtuesit më të lartë të Policisë së së Shtetit dhe pritej ndërhyrja e forcës tonë elitë, “Reneas”.
Rreth orës 18.20, Renea, bëri të mundur kapjen e autorit, të gjallë, duke e prangosur dhe kursyer plumbin.
Përsëri si punonjëse e re e Policisë e nga dhimbja që një koleg humbet jetën në detyrë nga plumbat e këtij që jeton akoma, thoja pse? pse? pse se vranë?, pasi në këto dy vite punë kanë përjetuar tre kolegë të vrarë në krye të detyrës.
Por më pas duke u qetësuar i mendova gjërat më qetë, më thellë. Policia nuk vret, policët nuk janë kriminelë, por janë shërbëtorë të popullit dhe të ligjit. Edhe pse ai e kishte hak plumbin, policia nuk qëlloi mbi të. Le të jetojë krimineli, por drejtësia t’i japë dënimin e merituar.
Koleg i dashur: Unë përfaqësoj Gjeneratën e Re të Policisë, si qindra e qindra djem e vajza që vitete e fundit janë radhitur në armatën e Policisë së Shtetit.
TI kolegu ynë, i gjeneratës tjetër, por i sakrificës, i përvojës, i aktit më sublim të flijimit të jetës, na mbushe shpirtin me dhimbje e trishtim, por me veprën tënde na dhe forcë e kurajo për të ecur përpara, për të ndjekur rrugën e ndershme dhe të sakrificës në Policinë e Shtetit.
Ardian Kodra , Ti ske vdekur, sakrifica më sublime nuk vdes, nuk harrohet kurrë. Ti dhe jetën për të mbrojtur jetën. Ndaj dhe u radhite në Altarin e Lavdisë së Përjetshme.
Ne Brezit të ri, do përqafojmë vlerat dhe kontributet më të mira të gjeneratës tjetër dhe përherë Ty dhe qindra kolegët e tjerë që kanë dhënë jetën në detyrë do t’ju kemi busull orientimi dhe burim frymëzimi në punën tonë.
Të përjetshem do të mbeteni përherë. Respekt e mirënjohje për veprën dhe punën Tuaj!!!!
*Zedhenese e Drejtorise Vendore te Policise Diber.