Lëvizja BESA – Çair: Të zgjidhet problemi i ngrohjes në shkollat fillore të Çairit

151

Ashtu siç është i njoftuar opinioni, nga java e ardhshme procesi mësimor për shkollat fillore “7 Marsi”, “Rajko Zhinzifov” dhe “Vasil Gllavinov” duhet të zhvillohet pa ngrohje, kjo për shkak të borxhit gjysmë milion euro që Komuna e Çairit nuk e ka paguar tashmë dy vjet me radhë. Derisa zyrtarët e Komunës së Çairit azdisen në luksin më të madh, fëmijët shqiptarë të shkollave të Çairit javën tjetër duhet ta ndjekin mësimin në kushte të dimrit të frorit. Gjithë kjo ndodhë si rezultat i papërgjegjshmërisë së skajshme të Komunës së Çairit, që për dy vite me radhë nuk e ka bërë pagesën për ngrohtoren.

Që të mos ndodhë, që fëmijët tanë ta vuajnë pakujdesinë e Komunës së Çairit, Lëvizja BESA – Çair i bënë thirrje kryetari të Komunës që sa më shpejtë të ndërmarrë masa dhe ta zgjidhë këtë problem elementar, sepse në këto kushte të ftohta nuk mund të mbahet mësimi. Në të kundërtën do të detyrohemi të reagojmë edhe në mënyra të tjera, sepse shëndeti i fëmijëve të Çairit nuk ka çmim.

Lajmi i mirë është se për disa muaj kjo komunë do të kalojë në duar të sigurta dhe nxënësit shqiptarë një herë e përgjithmonë do të mund të mësojnë pa e pasur brengën e ngrohjes.

 

Comments