Lëvizja BESA: Korrupsioni në Maqedoni po merr përmasa të një epidemie
Korrupsion në Maqedoni po merr përmasa të një epidemie. Kështu kanë thënë nga Lëvizja BESA, pas Raportit të Transparency International në të cilën thuhet se Maqedonia për sa I pëërket korrupsionit radhitet në vendin e 90-të, në listën e 176 vendeve në botë.
“Kështu edhe një herë po dëshmohet se mungon vullneti për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit dhe akoma përballemi me ndërhyrje politike në gjyqësor dhe ndërhyrje të pajustifikuara në operacionet dhe proceset vendimmarrëse ditore të anti-korrupsionit dhe organeve gjyqësore. Po ashtu vlen të përmendet edhe fakti i hidhur se mediet dhe sektori civil vazhdojnë t’i vuajnë nga presionet e drejtpërdrejta, vazhdon trendi i keqpërdorimit të pushtetit ose i partive politike për financim të medieve pro-qeveritare, si dhe përdorim i inspektimeve tatimore për hakmarrje politike, kanë thënë nga Lëvizja BESA.
Një fakt tjetër shqetësues sipas këtij raporti, thonë nga Lëvizja BESA, është se rritja e korrupsionit dhe populizmi ose patriotizmi i rrejshëm, fenomen ky shumë prezent në shoqërinë tonë, janë të lidhura shumë ngushtë dhe janë në korrelacion me njëra-tjetrën.
“Lëvizja BESA angazhohet për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet gjyqësorit, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë për Krimin e Organizuar. Ne jemi thellë të bindur se eliminimi i kapjes, departizimi dhe demokratizimi i shoqërisë janë parakushte elementare për një të ardhme evropiane të vendit”, thuhet në reagimin e BESËS.
Në indeksin për vitin 2015 Maqedonia ka qenë në pozitën e 66, në vitin 2014 në pozitën e 64 ndërsa në vitin 2013 TI e ka radhitur në pozitën e 67.