
Lëvizja BESA konsideron se “plani reformues 3-6-9” i prezantuar sot nga kryeministri, Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri, Bujar Osmani është një strategji e kopjuar dhe e ricikluar nga qeveria e mëparshme.

Kjo strategji tregon se qeveria e Zoran Zaevit, nuk e ka ndërmend të merret seriozisht me çështjet kryesore që tangojnë qytetarët e Maqedonisë, e aq më pak me çështjet që tangojnë qytetarët shqiptarë në Maqedoni”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.
“Të prezantosh një projekt me 7 faqe dhe as 7 rreshta të mos ia kushtosh qytetarëve shqiptarë është një nënçmim që deri sot kanë mundur ta bëjnë vetëm Gruevski dhe partnerët e tij, thuhet në reagim. Lëvizja BESA apelon deri te qeveria LSDM-BDI-ALEANCA, që të ndërpresë sa më shpejtë këtë qasje të mbrapshtë ndaj problemeve të qytetarëve shqiptarë. Nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët si pjesë e pushtetit, kërkojmë që të vetëdijësohen dhe të shfrytëzojnë rastin historik që kanë në dorë shqiptarët, e mos të udhëhiqen nga interesat e ngushta personale dhe grupore. Apelojmë të mos bëhen pjesë e mentalitetit politik që po promovon pushteti i ri, e që aspak nuk dallon nga mentaliteti që promovonte pushteti i deridjeshëm. Në të kundërtën edhe ata do t’i konsiderojmë si pjesë, e madje edhe si shtyllë kryesore të politikave të mbrapshta të qeverisë Zaev ndaj shqiptarëve, që fare nuk dallojnë nga fillimet e qeverisë Gruevski”, thotë Lëvizja BESA në ragimin e saj.