Ligjvënës britanikë shprehin shqetësim për lirinë e shtypit në Serbi

106
fresco

Një grup deputetësh britanikë dhe personalitete të larta publike i kanë dërguar një letër Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, ku shprehin “shqetësim të thellë” për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në Serbi, duke kërkuar që kjo çështje të ngrihet në nivelin më të lartë gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër.

Letra, e nënshkruar nga deputetë të të gjitha partive politike dhe nga përfaqësues të Parlamentit britanik, përfshirë Tom Tugendhat, Fiona O’Brien të Reporterëve pa Kufij, dhe baroneshën Helena Kennedy, thekson se liria e shtypit në Serbi “është në një pikë kthese të rrezikshme”.Në dokument, autorët denoncojnë shtypjen e mospajtimit politik, bastisjet policore ndaj organizatave joqeveritare dhe sulmet e koordinuara ndaj mediave të pavarura, në veçanti ndaj rrjetit United Media, që zotëron televizionet N1 dhe Nova, të vetmet transmetuese të mëdha jo nën kontrollin e qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq.

Deputeti Tugendhat përmend rastin e incizimit të publikuar nga rrjeti OCCRP, ku drejtues të lartë të Telekom Srbija dhe United Group flasin për strategji për “dobësimin” e mediave të pavarura.“Gazetarët e këtyre mediave po përballen me ngacmime të vazhdueshme, sulme fizike dhe fushata shpifjesh”, theksohet në letër.Sipas nënshkruesve, përpjekjet e qeverisë serbe për të kontrolluar narrativën mediatike dhe për të frenuar opozitën e qytetare janë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.

“Pa gazetarë të lirë që mund t’u thonë të vërtetën autoriteteve, liritë civile në Serbi janë në rrezik të shkatërrohen”, thuhet në letrën e dërguar Cooperit.Në fund, deputetët kërkojnë nga qeveria britanike që të përdorë ndikimin e saj diplomatik për të mbrojtur lirinë e medias në Serbi.

Comments