Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shef i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për largimin nga pozita e ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani.
Limaj ka treguar se largimi i tij është bërë pasi kanë ndodhur disa lëvizje në parti.
“Është liruar nga detyra. Janë politika të brendshme të partisë. Janë disa lëvizje në parti, pasi jemi parti e re kemi edhe këso lëvizje. Deri më tash nuk ka ndonjë emër të ri për këtë pozitë”, ka thënë Limaj në televizionin T7.
Hasani, për pak ditë, ende nuk i ka bërë 1 vjet prej që është në këtë detyrë.
Ai ishte emëruar ministër i Tregtisë dhe Industrisë në ditën kur ishte votuar Qeveria Haradinaj më 9 shtator të vitit të kaluar.