Liqeni i Ohrit me mungesë të shpëtimtarëve

173

Dhjetëra plazhe në liqenin e Ohrit në fund të sezonit turistik funksionojnë pa shpëtimtarë. Rasti i fundit tragjik i mbytjes së 24 vjeçarit nga Shkupi, trupi i pajetë i të cilit u gjet 20 metra nga bregu, në afërsi të kampit ushtarak në Shën Naum, sërish e aktualizon domosdoshmërinë e angazhimit të shpëtimtarëve. Nga Qendra për siguri në ujërat e Ohrit, thanë se ky është viti i tretë radhazi që nuk kanë angazhuar shpëtimtar në këtë plazh. Ekipet e shpëtimit ditë më parë kishin arritur të shpëtojnë tre fëmijë nga Anglia në njërin nga plazhet e Ohrit, ku nuk ka shërbim shpëtimi, si dhe kanë ndërhyrë edhe tek një turist nga Gjermania.

“Për fat të keq nuk merren masa për këto plazhe konkrete, ndërsa pjesa tjetër e plazheve janë të sigurta në brigjet e Ohrit dhe rreth 60% të brigjeve të Strugës. Është për të ardhur keq që ka shkelës të ligjit që nuk e dinë se gjëja më e rëndësishme është që notarët dhe vizitorët të ndjehen të sigurt, dhe më tej të kënaqen me muzikën”, tha Sasho Toçkov- kryetar i Kryqit të Kuq- Ohër.

Në Strugë këtë verë janë angazhuar 25 shpëtimtarë ndërsa ekipet e shpëtimit kanë ndërhyrë edhe në gjetjen e rreth 40 fëmijëve të humbur.Që nga korriku janë realizuar rreth 20 ndërhyrje të nxjerrjes së personave nga liqeni dhe më shumë se 600 ndërhyrje për dhënien e ndihmës së parë. Gjatë verës u mbytën dy persona, njëri në Strugë dhe tjetri në Ohër./Alsat/

Comments