LLASKARCA FSHATI QË RRITET
Fshati Llaskarcë shtrihet në jug të Dërvendit (Derveni i Poshtëm), rreth 18 km larg Shkupit dhe 10 km larg Sarajit. Kufizohet me fshatrat përreth: në lindje me fshatin Bukoviq, në verilindje me fshatin Kopanicë, në veri me fshatin Bojanë, në perëndim është fshati Rogle, ndërsa në pjesën jugore dhe atë juglindore fshati kufizohet me Raoviçin dhe fshatin Panicar, si dhe malet që ndodhen në këtë anë.

Shkruan: Syrja Etemi
Ja kjo është Llaskarca e shumëvuajtur, ashtu si kanë qenë edhe shumë e shumë fshatra e vendbanime tjera shqiptare. Por, sa të mallkojmë terrin, më mirë është të ndezim një qiri, thotë një fjalë popullore. Jo vetëm të mallkojmë e të fajësojmë se kështu ka qenë e kështu duhet të jetë…. Jo, kushte për jetesë edhe këtu ekzistojnë. Resurse ka, por ato duhet shfrytëzuar. Llaskarca posedon mjaft tokë pjellore, mbushullime pyjore e malore sa të duash, resurse njerëzore po ashtu. E, pse të mos mundet të shfrytëzohen ato? Kush pengon në këtë drejtim? Edhe pse një pjesë e mirë e këtyre pasurive është vakëf, ku siperfaqja arrin deri 75.887 metra katrorë, që përfshihen xhami, varreza, etj. ajo, ka edhe toka shumë të punueshme, ara, pyje, kullosa, etj, që krejt këto paraqesin begati e pasuri të jashtëzakonshme, që, natyra i ka destinuar dhe i ka vënë në shërbim vetëm të llaskarcasve.
Të dhëna gjeografike
Fshati Llaskarcë shtrihet në jug të Dërvendit (Derveni i Poshtëm), rreth 18 km larg Shkupit dhe 10 km larg Sarajit. Kufizohet me fshatrat përreth: në lindje me fshatin Bukoviq, në verilindje me fshatin Kopanicë, në veri me fshatin Bojanë, në perëndim është fshati Rogle, ndërsa në pjesën jugore dhe atë juglindore fshati kufizohet me Raoviçin dhe fshatin Panicar, si dhe malet që ndodhen në këtë anë. Vlen të theksohet se pranë fshatit kalon edhe magjistralja E-65, e cila i lidh qytet Shkup-Tetovë. Pra, një favor i veçantë për këtë vendbanim, sepse ka komunikim të drejtpërdrejtë me dy qendra shumë të rëndësishme urbane, prandaj, ky fakt ndikon shumë pozitivisht në zhvillimin dhe përparimin e këtij vendbanimi, por edhe të gjithë të tjerëve që kanë këtë pozitë mjaft të volitshme.
Fshati në fjalë, si i tillë, ndahet në dy pjesë, lagje apo Mëhallë, edhe atë: Mëhalla e Epërme dhe Mëhalla e Poshtme dhe, secila ka xhaminë, me ç’rast, xhamia e epërme është më e vjetra, që nënkupton se gjeneza e fshatit fillon nga këtu. Kur jemi këtu, duhet theksuar se e njëjta, në vitin 2014 u rrënua në mënyrë që të fillojë rindërtimi i saj. Por edhe xhamia që gjendet në Mëhallën e Poshtme është xhami e re, do me thënë e ndërtuar vonë. Në pjesën e epërme të fshatit, gjithashtu gjendet edhe shkolla fillore e fshatit, me emrin: “Ibe Palikuqi”.
Historiku i fshatit
Në mungesë të dokumentacioneve arhivore, që do të gjenim të dhëna të shkruara për këtë vendbanim, po iu referohemi vetëm atyre shënimeve ekzistuese që janë në dispozicion. Nuk ka dyshim që ky fshat është tepër i lashtë dhe që daton shumë kohë para ardhjes së osmanëve në këto troje. Më së pari atë e hasim të regjistruar në dokumentet apo Defterët turk, ku thuhet se, Llaskarca i përket Shkupit, dhe se është timar i Ibrahimit, çiflig i jeniçerçve Husein dhe Xhafer, si dhe çiflig i Mehmetit, birit të Qerimit. Në disa dokumente tjera turke të periudhës së mëvonshme, thuhet se ky fshat i ka takuar Qarkut të Tetovës.
Në kërkim të të dhënave (tani më sikur është bërë në modë: Ndihma nga perandoria e informacioneve: Google, në linkun: www.Dervendi.com), azhurnuam edhe këto të dhëna: “Emri i saj vjen nga Llaskarcis – që d.m.th. nxënes i Bizantit. Etnogjeneza e këtij ojkonimi, historikisht ka të bëjë me antroponimin: J o n u z (te muslimanët) dhe J a n e z te (krishterët). Gjithashtu, ka edhe mendim tjetër, ku supozohet se emri Llaskarcë d.m.th. pjesë e shembur e një kodre, bregu apo një mali. Këtë emër e ka marrë pasi që fshati i vjetër ka qenë i vendosur në dy anët e përroit shumë të madh, ku gjurmët e shembjes së tokës shihen edhe sot e kësaj dite.
Sa i përket prejardhjes së banorëve mund të themi se këta vijnë nga fisi Kelmend. Nga një gurrë e gjallë dervenase pohohet se, familja e parë e këtij fshati njihet me emrin Jonuz. Edhe gjuhëtari Bohers përmend këtë emër: “Jonuz” – dy fytyrat e Jonuzit që shohim në drejtime të kundërta. Sipas Furit kuptimi i emrit Jonuz është “njeri i mirë i fshatit”. Sa i përket përbërjes gjeodezike Skoku pohon se në Llaskarcë ekziston Velike Kraste (Krasta e Madhe), që haset në perëndim të saj. Sipas tij, mal me emrin Krasta ka në Maqedoni e Mal të Zi. Skoku, gjithashtu përmend se mbi fshatin Llaskarcë ka xehe të mermerit.
Ne regjistrimin e popullatës, me 1544, në Llaskarcë kishte 20 shtëpi (familje), të gjitha të krishtera. Në 1900, Llaskarca ka pasur 50 shtëpi me 275 banorë. Më 1925, fshati i takonte komunës së Grupçinit, që në atë kohë ka pasur 56 shtëpi, me 497 banorë. Në vitin 1948, fshati kishte 69 shtëpi me 585 banorë. Në vitin 1953, ka pasur 624 banorë. Ne vitin 1961 kishte 709 banorë, prej tyre 675 shqiptare, 1 maqedone dhe 32 turq, 1 nga të tjerët. Në vitin 1971 ka pasur 762 banorë. Më 1981 kishte 990 banorë. Në vitin 1994 ka pas 1083 banorë. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002, ky fshat kishte 261 shtëpi, me 1190 banorë. Edhe pse nuk kemi të dhëna zyrtare për numrin e shtëpive dhe banorëve në fshatin Llaskarcë, sot mendohet se fshati ka afer 300 shtëpi.”
Në po të njëjtat referenca potencohet edhe ky fakt, të cilin e konstatuam edhe më sipër: “Fshati, ndoshta do të kishte numër më të madh të popullatës, sikur të mos kishte shpërngulje. Kështu, shperngulje të familjeve nga ky fshat ka patur edhe më herët dhe, fatkeqësisht po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Popullata është shpërngulur më shumë në Turqi, Shkup, Saraj, Kondovë, Lubin, madje edhe në Tetovë, ndërsa sot, shumica e të rinjve-të detyruar nga shkaqet ekonomike e sociale, me të madhe po synojnë drejt perendimit.”
Kur e përmendim dhe e stërpërmendim këtë fenomen që i thonë sh p ë r n g u l j e, më bie ndërmend një këngë shumë e moçme shqiptare që burimin e ka në këtë anë, këngë të cilën e kam shënuar më 18.11.2017 në Odën e rapsodit Ilmi Tanallari nga fshati Rashçe. Këngën në fjalë, rapsodit Nusret Hoxha nga fshati Sfillare, ia kishte dërguar në fcb. një familjar i tij i shpërngulur në Bursa të Turqisë, e të kënduar nga Rexhep Iskip (Shkupi) nga fshati Paniçar-lindur në vitin 1951 dhe i shpërngulur me familje në Turqi në vitin 1966 (në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare). Ja po e paraqes në vazhdim këngën e cila të duket si një klithmë ngjethëse që të rrënqeth trupin kur e dëgjon. Ja teksti i këngës që mallëngjen çdo shqiptar:

LULE KUÇE LULE VERDH’
Lule kuçe, lule verdh, jo mor, jo ver-jo
Ç’i ka çel-o në pranver, jo mor, jo ver-jo
Ç’i ka çel, ç’i ka lulue, jo mor, jo ver-jo
Shkon pampuri tuj bumb’llue, jo mor, jo ver-jo
Or, pampur tuj pkutshin telat, jo mor, jo ver-jo
Çish naj more k’to askerat, jo mor, jo ver-jo
K’to asker, asker të ri-e, jo mor, jo ver-jo
I lae nanat pa fumi-e, jo mor, jo ver-jo
Lave babat pa gjem t’ri-e, jo mor, jo ver-jo
Lave motrat pa vllazni-e, jo mor, jo ver-jo
Lave nuset pa burni-e, jo mor, jo ver-jo.
Ja kjo është Llaskarca e shumëvuajtur, ashtu si kanë qenë edhe shumë e shumë fshatra e vendbanime tjera shqiptare. Por, sa të mallkojmë terrin, më mirë është të ndezim një qiri, thotë një fjalë popullore. Jo vetëm të mallkojmë e të fajësojmë se kështu ka qenë e kështu do të jetë…. Jo, kushte për jetesë edhe këtu mund të gjenden. Resurse ka, por ato duhet shfrytëzuar. Llaskarca posedon mjaft tokë pjellore, mbushullime pyjore e malore sa të duash, resurse njerëzore po ashtu. E, pse mos mundet të shfrytëzohen ato? Kush pengon në këtë drejtim? Edhe pse një pjesë e mirë e këtyre pasurive është vakëf, ku siperfaqja arrin deri 75.887 metra katrorë, që përfshihen xhami, varreza, etj. ajo, siç thamë, ka edhe toka shumë të punueshme, ara, pyje, kullosa, etj, që krejt këto paraqesin begati e pasuri të jashtëzakonshme që natyra i ka destinuar dhe i ka vënë në shërbim vetëm të llaskarcasve.
Disa të dhëna gojore relevante për LLaskarcën
Medi Mehmeti
(lindur,1958 – me banim në Tetovë)
Për të mbledhë material gjithnjë e më komplementar për vendbanimin e Llaskarcës, destinuam një bisedë të paralajmëruar me mikun tim (me proveniencë nga po ky fshat), Medi Memeti – Pedagog në fshatin Grupçin, ku, në bisedën e zhvilluar në gusht të viti 2017, në mes tjerash deklaron: Fshati Llaskarcë sot duhet t’i ketë nja 300 shtëpi. Siç kam dëgjuar nga pleqtë e fshatit, dikur, nuk dihet se kur, një person nga Llaskarca (emri i të cilit tani nuk më kujtohet), në moshë shumë të re shkon në Duf të Rekës, atje martohet dhe i bën 5 djem (fëmijë). Ata nuk kanë kuptuar për prejardhjen e babait. Në gjendjen para vdekjes i tregon njërit djal që, pas vdekjes kufomën t’ia varrosin në Llaskarcë. Dhe, kështu, amanetin ia çojnë në vend. Mendohet se mandej edhe djemtë e tij vendosen te vendlindja e babait të tyre.
Derveni ka lujtur një rol mjaft strategjik që në kohën e Skënderbeut. Nuk ka pas mundësi tjetër të depërtimit në Pollog, pa kaluar nëpër Grykën e Dervenit, nëpër Raç(sh)e e këndej kah Pollogu. Skënderbeu ndalet te Dullëja e Debërcës ka pi ujë dhe ka pushuar me ushtrinë e tij shqiptare ku kanë marrë pjesë edhe shumë pollogas e dervenas…
Në vazhdim po paraqes potencime tjera (në të folmen autoktone) nga personazhi në në fjalë: “Llaskarca Kish’ nuk ka. N’ Bojan’ – po, n’Kupanejc – po, n’Rashçe- po, a,n’Llaskarc’ kish’ nuk ka ekzistu, kurse vorre – po. Vorret e “shkijeve…” , për të vazhduar më tej: Ibraim Krosi ka shumë shkrime e libra, që ka shkruar, përveç tjerash, edhe për Llaskarcën. E, në këtë rast, me rëndësi është të përmenden toponimet e mikrotoponimet e fshatit : Çeshm’ e Markit, Vollç (c)e, Zabel’ i Madh, Zabel’ i Vogël, Krast’e Madhe, Krast’e Vogël, Rogle!!! (Rogle quhet tash, kurse banorët e kësaj ane e kanë quajtur dhe e quajnë LOGRE = log+ re (vendi ku luhet, ku janë luajtur lojëra). Katundi ka qenë më lartë, më vonë bie poshtë.
Fiset e Llaskarcës (aq sa i di unë, thotë Mediu), janë: Kaçaup, Fiçoj, Burizan (lajmëtar i lirisë)- të ardhur nga Mati. Në Fushkrujë paska një toponim me emrin: Te Çeshm’e Burizanit (Burim zanash), që korrespondon me emrin e fisit Burizan në Llaskarcë. Në këtë çeshëm vijnë njerëz nga vise të ndryshme për të larë trupin apo për të pirë ujë për ilaç, shërim.
Në rrjedhë të bisedës, muhabetin e çuam deri te rrathët e brezave që mund të numërohen, duke marrë shembull pemën gjenealogjike të familjes së bashkëbiseduesit tim, edhe atë: Medi (l.1958) – Sadri – Medi – Metali – Ramadan- Shaban – Islam – (Kolë ose Mark, Gjon…).
Pra, nga kjo radhitje brezash kuptojmë se popullata shqiptare e kësaj ane, është islamizuar përpara 200 apo 250 viteve (sepse një brez llogaritet 30 vjet). Sido që të jetë, ky konstatim ngel një punë profesionistësh që duhet të mirren me kompetencë dhe ta “qesin pi pazari” këtë shtjellë intriguese dhe akoma të patrajtuar shkencërisht, kurse Llaskarca do ta vazhdojë jetën e saj me plotë të thënat e të pathënat e saj, valët e kohës duke e katandisur, herë në kujtimet e së kaluarës, e herë në ëndrrat e blerta për shndërrimin në një vendbanim premtues për gjeneratat e brezat e së ardhmes. E, ky fshat me krenari mëton të prafullojë refleksione shpresëdhënëse ndërmjet kodrinave të hajthme të Malit të Thatë dhe ultësirave që arrinë deri në luginën jetëdhënëse të Vardarit.