Një kompani e formuar vitin e kaluar, me vetëm dy të punësuar për gjashtë muaj ka fituar tenderë me vlerë prej 9 milion eurove. Me këto akuza LSDM-ja iu drejtua VMRO DPMNE-së dhe Qeverisë. Sekretari gjeneral i kësaj partie, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, duke zbuluar dhe dokumente, njoftoi se kompania “Digital One” ka fituar tenderë me institucione shtetërore qeveritare në periudhën maj 2025 deri nëntor 2025.
“Firmë pa histori, pa përvojë, pa portofol, e regjistruar për tregti me pajisje informatike dhe komunikim, fiton thuajse 9 milion euro për vetëm gjashtë muaj, apo nga 1,5 milion euro çdo muaj. Është formuar nga Kristijan Arsovski dhe ka vetëm dy të punësuar. Marrëveshja e fundit është për licenca softuerike për platformë virtuale në vlerë prej 8 milion eurove. Nëse kjo nuk është skemë klasike për thithjen e parave të qytetarëve përmes firmave të afërta me pushtetin, atëherë çka është?”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq – Sekretar i LSDM-së.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE për disa ditë kërkojnë përgjegjësi nga ish ministri i bujqësisë Lupço Nikollovski, për zhdukjen e grurit dhe elbit në rezervat shtetërore të mallrave.
“Që të mos vërehet mungesa e 2000 tonëve të grurit dhe elbit, ata menjëherë bëjnë dy tenderë me një shtet fqinj për 20,000 ton gru dhe elb, që të rimbushin zbrazëtirat. Me këto tenderë, Zaev, Filipçe dhe Nikollovski kanë menduar se do të fshehin mungesat në rezervat e mallrave, e opinioni këtë do ta harrojë. 800 mijë euro të qytetarëve kanë përfunduar në xhpat e Zaevit, Filipçes e Nikollovskit, ndërsa 2000 ton gru dhe elb në tregun ilegal në shtet të huaj. Në vend se të distancohen, LSD edhe më tej i mbron kriminelët e vet”, tha Marija Andonovska – VMRO-DPMNE.
Nga LSDM kërkojnë nga Prokuroria Publike, Policia Financiare dhe Antikorrupsioni të reagojnë dhe të hapin hetime ndërsa për keqpërdorimet në bujqësi, ministri i bujqësisë Cvetan Tripunovski vetëm se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish ministrit Lupço Nikollovski./Alsat.mk

