Lugina e kufirit imagjinar

228

  

Një karakteristikë e njëjtë shqiptaro-serbe simbolizon fshatrat e “keqvendosura“ në Luginën e Preshevës. Askush nuk beson se do të gjendet në anën e gabuar. Është koha për eufori dhe humor të zi.

Nga Hysni Bajraktari / “Courrier des Balkans”

“Do t’ia lë shtëpinë Vuçiqit që t’vjen t’i përfundojë ditët e tij të jetës në Kosovën e pavarur”, ironizon Zorani, pensionist nga fshati Rakoc i komunës së Bujanocit. Duke mbledhur fasulen, ky serb 66- vjeçar nuk beson se një ditë mund të zgjohet nga gjumi si shtetas i Kosovës.  « Kjo ide është aq qesharake, saqë as nuk e mendojmë », sqaron Milloshi, shitës në dyqanin e vogël të fshatit fqinj Llopardincë. “Nuk jam i interesuar të bëhem refugjat ose pjesëtar i një minoriteti të diskriminuar”, shton miku i tij Gorani. Këto dy fshatra me popullatë serbe në Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare  do të mund të gjenden nën administrimin e Prishtinës në rast të “korrigjimit të kufirit” me Beogradin.

“Kjo është vija, ajo e autostradës dhe hekurudhës, që po përmendet nga disa qarqe si kufiri i ardhshëm i mundshëm”, na tregon në një hartë kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi. “Ndarja e komunave tona është e prapanueshme dhe e rrezikshme”, shton ai.

Blerimi sapo ka diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë. Për shkak se diploma e tij nuk njihet nga autoritetet e Serbisë, ai është detyruar të punojë në sektorin privat të ndërtimit. Ky shqiptar 23- vjeçar jeton në Samolicë, një nga 12 fshatrat me shumicë shqiptare që gjenden në anën lindore të autostradës dhe hekurudhës, të cilat e ndajnë në dysh Luginën e Preshevës. “Nëse do mbetemi vetëm ne në Serbi, atëherë do të duhet të dalim në anën tjetër. Do të mbeteshin vetëm disa fshatra shqiptare në këtë anë dhe nuk do të kem më treg për të punuar”, thotë ai me pesimizëm. “Ose e tërë Lugina me Kosovën ose qëndrojmë krejt nën Serbi”, reagon kushëriri i tij Shkodrani.

“Shpresoj se Thaçi dhe Vuçiqi kanë paraparë shtëpinë time në anën e duhur”

Një karakteristikë e njëjtë shqiptaro-serbe simbolizon këto fshtara të “keqvendosura”. Askush nuk beson se do të gjendet në anën e gabuar. “Do të ishte një skenar i keq, ndonëse do ta kishim Kosovën më afër”, thotë me buzëqeshje Bilalli, duke pastruar duart para se të hyjë ta falë namazin e së premtes në xhaminë e vjetër të Bilaçit, dikur vendbanim administrativ osman i zonës.

“Ndarja e Luginës së Preshevës do të ishte një tragjedi e re”, mendon Arsim Ejupi, gjeograf në Universitetin e Prishtinës.  “Shkëmbimi i territoreve është një ide e vjetër. Dallimi tashmë që nuk duhet nënvlerësuar është se ideja për t’i prekur kufijtë është ngritur tani nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të një marrëveshje përfundimtare”, shton ai.

Në Preshevë është koha për eufori dhe humor të zi.

“Shpresoj se Thaçi dhe Vuçiqi kanë paraparë shtëpinë time në anën e duhur”, thotë me humor Skenderi.

“Ke më shumë gjasa ta fitosh lotarinë!”, përgjigjet me sarkazëm Qaniu duke porositur një birrë të ftohtë në kafiterinë e qytezës. “Presidentët duken paksa të humbur në idetë e tyre gjeografike, sikurse diplomacia e tanishme amerikane në idetë e saj politike…”.

“Nuk qenë në gjendje me u marrë vesh për një diplomë, por do të rivizatojnë kufijtë. Paqësisht. Të njëjtit që ishin pjesëmarrës në luftën e fundit. Respekt !”, përqesh me cinizëm Skenderi.

“Secilën herë që gjendja është e keqe, nxjerret karta e jugut të Serbisë dhe veriut të Kosovës”

Integrimi i shqiptarëve të jugut të Serbisë, një rajon i pazhvilluar në mënyrë kronike, ka ngecur qe disa vite për shkak të mungesës së vullnetit të qeverive të njëpasnjëshme në Beograd.   Shqiptarët mbeten skajshmërisht të nënpërfaqësuar në institucionet publike. Më se 15 vjet prej heshtjes së armëve, synimet e planit të paqes nuk janë realizuar. Zhvillimi ekonomik; të drejtat kolektive të minoriteteve dhe tërheqja e forcave të jashtëzakonshme policore dhe ushtarake mbeten tri çështjet që stagnojnë që nga nënshkrimi i marrëveshjeve midis Beogradit dhe përfaqësuesve politikë shqiptarë të jugut të Serbisë më 2001, 2009 dhe 2013.

“Serbia ka dëshmuar se nuk dëshiron të na integrojë. Ka ardhur koha e korrigjimit të padrejtësisë historike të kufijve”, thotë me plot entuziazëm Ragmi Mustafa, ish-kryetari i Preshevës politikisht i afërt me presidentin kosovar, Hashim Thaçin.   “Së pari të pranohet parimi i korrigjimit të kufirit, pastaj le të ecim tutje në fazën e dytë, atë të ribashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, sipas referendumit të Luginës së Preshevës të 1 dhe 2 marsit 1992”.

Por për disa tjerë, e tërë kjo mbetet instrumentalizim politik i Beogradit dhe Prishtinës. “E çuditshme sesi Prishtina që na ka harruar qe 20 vjet interesohet tashmë përnjëherësh për ëndrrën tonë për t’iu bashkuar Kosovës”, thotë Gëzimja, një mësimdhënëse shqiptare në Preshevë. “Po ç’të thuhet për Beogradin i cili nuk lejon(te) as flamurin tonë, e tashmë nuk e kundërshton aq fuqishëm bashkimin tonë me Kosovën?”.

Nikola Llaziq, gazetar serb nga Bujanoci, mbetet skeptik. “ Secilën herë që gjendja është e keqe, nxjerret karta e jugut të Serbisë dhe veriut të Kosovës, për t’i harruar gjërat që shkojnë me të vërtetë keq në shtëpi ose për t’i përbirë kompromiset e ardhshme”.

Comments