“Lumenjtë janë shndërruar në deponi bërlloku”
Pamje me shumë bërllok mund të hasësh në shumicën e lumenjve të Kosovës.
E as Lumi “Lumbardh”, i cili kalon nëpër Prizren nuk u ka shpëtuar mbeturinave.
Partia e të Gjelbërve të Kosovës shprehet e shqetësuar për këtë gjendje. Daut Maloku nga kjo parti, thotë se kjo është pasojë e moskujdesit institucional, raporton KTV.
Sipas tij, askush nuk po ndërmerr asgjë për mjedisin, pavarësisht që ligjet ekzistojnë.
Edhe në iniciativën “Ta Pastrojmë Kosovën” thonë se përgjegjëse për këtë gjendje janë vetë institucionet.
Në Komunën e Prizrenit e pranojnë që gjendja e Lumbardhit nuk është aspak e mirë, por shpresojnë që me ndërtimin e impiantit që i trajton ujërat e zeza që po bëhet në fshatin Llokvicë, të zgjidhet ky problem.
Ymer Berisha thotë se edhe fabrika e lëngjeve dhe ajo e steroporit kontribuojnë shumë në ndotjen e lumit.
Ministria e Mjedisit, qysh në vitin 2009 ka lëshuar udhëzimin administrativ që i përcakton gjobat për ndotësit e ambientit.
Në bazë të këtij udhëzimi, dënimi më i lartë, në njëqind euro, është pikërisht për personat që ndotin lumenjtë dhe liqenet.
Por pavarësisht kësaj, gjendja e tyre vazhdon të jetë e papërmirësueshme.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.