Lumezi takohet me kryeprokurorin e EULEX-it, flasin për përgjimet
Kryeprokuroi i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është takuar të enjten me kryeprokurorin e EULEX-it, Claudio Pala, i cili ka emëruar një prokuror që të merret me rastin e përgjimeve të bisedave të shefit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit që u publikuan gjatë ditëve të kaluara nga gazeta Insajderi.
“Kryeprokurori Pala e ka ngarkuar prokurorin përgjegjës për rastin e ashtuquajtur të MTPT-së për të bërë një vlerësim të përmbajtjes së telekomunikimeve të përgjuara, për të gjetur nëse ekziston ose jo dyshimi i bazuar për inicimin e hetimit për pohimet e përmbajtura që dallojnë nga ato për të cilat tashmë është marrë vendimi për ndërprerjen e hetimit”.
Më pas, raporti nga këto hetime pritet që t’i dorëzohet kryeprokurorit Lumezi, i cili do të shqyrtojë nëse në përgjimet e telekomunikimeve ka prova për të ndjekur penalisht dikë.
“Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i filloj hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer”, thuhet në njoftimin e kryeprokurorisë.