Lunaçek reagon pas kërcënimeve që Mentor Shala ua bëri punëtorëve të RTK-së

269
fresco

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura nga Sindikata e Pavarur rreth kërcënimit të fundit të Drejtorit Gjeneral, Mentor Shala ndaj punëtorëve të RTK-së dhe gjendjes së përgjithshme në Transmetuesin Publik.

Në një njoftim për media dërguar nga Sindikata e Pavarur e RTK-së thuhet se zyra e Zëvendëspresidentes së Parlamentit Evropian ka bërë të ditur se Lunaçek po e ndjek nga afër situatën  dhe se ka në konsideratë letren e sindikalistëve, me rastin e amandamentimit të draftit të Raportit Vjetor të  Parlamentit Evropian për Kosovën.

Dëgjimi i dytë dhe votimi për raportin do të bëhet në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 28 dhe 29 Shkurt.

Ditë më parë, Drejtori Gjeneral, Mentor Shala përmes një postimi në facebook i ka kërcënuar dhe fyer punëtorët e tij me gjuhën më të ulët dhe denigruese duke i quajtuar baktere për të cilët ka antibiotikë dhe punëtorë që nuk i hanë as qentë.

Kryesia e Sindikatës këtë kërcënim e ka denoncuar në Polici pasi konsideron se antibiotikët që i përmend Shala përdoren vetëm për një qëllim që t’i vrasin ose eliminojnë bakteret.

Ky është vetëm njëri nga rastet e kërcënimit dhe shantazhit ndaj punëtorëve, e veçanërisht ndaj përfaqësuesve sindikalë, pasi sindikata posedon edhe dëshmi të tjera të letrave kërcënuese të drejtorit gjeneral ndaj të cilave edhe ka reaguar publikisht disa herë.

Bordi i RTK-së si organ mbikqyrës i Transmetuesit Publik ende nuk ka reaguar  ndaj kërcënimit, fyerjes dhe gjuhës denigruese të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së ndaj punëtorëve.

Kjo është përgjigja që Lunaçek ia ka drejtuar SPRTK-së.

Comments