Lushi: Me varrojsen e Astritit u varros një copë e jona


Shkrimin e tij Lushi e ka vazhduar duke thënë se me vdekjen e Astrit Deharit duhet të jetë fundi nga ku nuk shkohet më poshtë.
Ky është shkrimi i plotë:
Me varrosjen e Astrit Deharit sot u varros një copë e jona kudo jemi.
Me vdekjen e Astrit Deharit kemi humbur të gjithë shqiptarët kudo jemi.
Vdekja e Astrit Deharit duhet të jetë fundi nga ku nuk shkohet më poshtë. Këputja e jetës së Astrit Deharit duhet të na hapë sytë dhe mobilizojë që të ndalojmë shikimin e njëri-tjetrit si armiq dhe të nisim të sillemi si shoqëri e përparuar.
Ikja e Astrit Deharit është një shenjë që më kujton gjestin e Lirak Bejkos, një vëlla yni në Tiranë, i cili me 2012 i vuri vetes flakën dhe u dogj si pishtar për të na treguar llumin ku kemi rënë dhe për të na zgjuar nga apatia. Dehari dhe Bejko janë metafora e blozës së ndërgjgjes sonë dhe nëse ne nuk ndryshojmë si popull dhe trajtojmë njëri-tjetrin si njerëz duke krijuar një sistem që na mbronë nga njerëzit e këqinj, atëherë edhe ne të gjallët do të jemi me të vdekur se viktimat tona Dehari dhe Bejko.
Ndarja e Astrit Deharit para disa ditësh nga ne tregon se kush jemi ne. Prandaj, ju lutem, sidomos juve politikanë, mos jepni deklarata të sajuara nga hamendësime, yshtëse dhe pa përgjegjësi. Mos i shfrytëzoni edhe humbjet tona të dhimbshme në instrumente si manipulimit dhe përfitimeve politike makabre.
Nëse ne duam të respektojmë kujtimin e jetëve të njerëzve që i kemi humbur, ne duhet të angazhohemi që sistemi të kryej punën e tij dhe mbi të gjitha ne duhet të bëjmë çdo gjë që askush kurrë më në krejt popullin shqiptar të mos ketë fundin e Astrit Deharit.
Jeta dhe vdekja e Astrit Deharit duhet të jenë ogur i fillimit të (ri)ngjitjes sonë, jo afrimit të mëtutjeshëm drejt humnerës.
Nuk besoj që sot ka shqiptar apo shqiptare që nuk ndien dhimbje për humbjen e Astrit Deharit, mirëpo nëna dhe babai dhe familja e tij e ndiejnë atë më së shumti dhe nëse ne duam t’u qëndrojmë atyre pranë, ne duhet ta bëjmë Astrit Deharin gurin e rikthimit tonë drejt ngjitjes si njerëz dhe si komb.
Vdekja e Astrit Deharit duhet të tregojë se ne mundemi të kemi sistem, i cili do të hetojë rrethanat e humbjes së tij, do të sjell në gjykatë, do të dënojë përgjegjësit dhe do të zbojë mjaftueshëm ndërgjegjen e bartësve të funskioneve mbi të cilat bie përgjegjësia morale të japin dorëheqje. Çdo tentim për të kapitalizuar vdekjen e Astrit Deharit është stërpikë turpi shtesë mbi ne.
Mos na ndodhtë kurrë më vdekje si vdekja e Astrit Deharit!
Familjes Dehari respekt dhe forcë ta përballojnë humbjen dhe të na falin të gjithë neve!/GazetaBlic.com/