Lustrimi mbetet i kontestueshëm

304
Lustrimi mbetet i kontestueshëm

Nuk mund të reformojmë shërbimet sekrete pa u reformuar çdo qytetarë i Maqedonisë . Kur do të luhet ndeshje futbolli Maqedoni-Shqipëri zemra më thotë të anoj kah Shqipëria, dhe kjo është për shkak se ju e keni sjellë shtetin në këtë situatë. Pa u dekriminalizuar kjo klasë politike dhe pa reforma në pushtetin gjyqësor, nuk mund të flasim për të ardhmen e këtij shteti. Kështu tha deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, gjatë debatit publik me temë “Ballafaqimi me të kaluarën”, që të martën në Parlament u organizua nga Këshilli nacional për eurointegrime. Deputeti Ibrahimi akuzoi Komisionin për verifikimin e fakteve se është i partizuar dhe i cili, sipas tij, vetëm formalisht ka bërë përzgjedhjen e personave që do të lustrohen. “Komisioni për verifikimin e fakteve, si çdo institucion tjetër shtetëror në Maqedoni, është  kriminalizuar dhe i partizuar. Ky komision vetëm formalisht ka bërë përzgjedhjen e atyre që janë ilustruar. Çka është më tragjike, shumica në Parlament ka votuar kundër një deputeti të lustrohet, edhe pse kundër tij Komisioni kishte fakte konkrete”,  tha deputeti Ibrahimi. Sa i përket ballafaqimit me të kaluarën, Ibrahimi tha se përndjekja e shqiptarëve nga sistemi komunist ka vazhduar më ritëm të njëjtë edhe në pluralizëm, ndërsa përmendi numrin prej katër mijë dosjeve të jenë krijuar nga viti 1990 e këndej, mes tyre edhe dosjen e kryetarit aktual të PDSH-së, Menduh Thaçi. Ai në theksoi se shqiptarët në Maqedoni asnjëherë nuk do të drejtojnë shërbimin sekret dhe Entin statistikor.

“Shqiptarët mund të jenë drejtor dhe ministra edhe në punët e brendshme, por asnjëherë nuk mund të jenë drejtor në Drejtorinë e shërbimit sekret dhe në Entin Shtetëror të Statistikave, aty  ku hyjnë të dhënat e dorës së parë, duke përfshirë dhe remitancat nga shqiptarët”, theksoi deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi. Para tij foli kryetari i Komisionit për verifikimin e fakteve, Tome Axhiev, i cili tha se ky organ është formuar dhe ka veruar në korniza të qarta ligjore, ndërsa theksoi numrin prej 30 funksionarëve publik dhe kandidatëve për funksione  publike që kanë qenë objekt i lustrimit. Siç tha Axhiev, Komsioni ka nxjerrë gjithsej 126 vendime për persona që nuk mund të jenë funksionar publik.

“Miratimi i ligjit për caktimin e kushteve për funksionar publik u bazuar në dy rezolutat të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e në bazë të të cilëve u formua edhe Komisioni për verifikimin e fakteve. Ky komision deri më tani ka  verifikuar mbi 30 mijë funksionarë publik, duke përfshirë dhe 300 kandidatë për funksione publike, ndërsa deri më tani kemi nxjerrë gjithsej 126 aktvendime për persona që janë të penguar të ushtrojnë funksione publike”, tha Axhiev. Duke ndjekur kritikat e debutuesëve  të mëhershëm se ky Komision ka vepruar në mënyrë selektive në dobi të partisë në pushtet, Axhiev tha se asnjë person nuk është  lustruar pa dokument valid. “Ju them me bindje se asnjë person nuk është lustruar pa pasur një dokument valid të institucionit përkatës”, tha Axhiev. Ai menjëherë pas fjalimit doli nga salla, ndërsa pas tij nga LSDM foli deputeti Vasko Kovaçeski, i cili adresoi kritika të forta ndaj Komisionit për verifikimin e fakteve. Deputeti Vasko Kovaçeski akuzoi kryetarin Tome Axhiev se ka zbatuar urdhra të partisë në pushtet, duke i kujtuar biseda nga të ashtuquajturat “bomba” të opozitës.

“Ky komision, e veçanërisht kryetari, gjatë tërë kohës ka zbatuar vetëm urdhra të partisë në pushtet, duke vepruar në mënyrë selektive në përzgjedhjen e personave për lustrim. Dua të përmend këtu bisedën e Tome Axhievit me një deputet të partisë në pushtet kur zotohet të zbatojë urdhra për ilustrimin e një gjyqtari nga Kërçova, Dragi Balievski. Komisioni për verifikimin e fakteve ka qenë pjesë e qërimit të hesapeve mes partisë në pushtet dhe personave të caktuar që nuk i janë përgjigjur asaj”, tha deputeti Kovaçevski. Më paraqitjen e tij nuk u pajtua anëtari aktual i komisionit Petar Dimitrovski, cili iu drejtua deputetëve të opozitës dhe debatuesve tjerë prezentë, duke i ftuar të  kundërshtojnë në çfarëdo forme, qoftë edhe në gjyqësor punën e këtij komisioni, ndërsa u zotua se atyre do t’iu përgjigjen me argumente konkrete. Nikolla Babovski, ish anëtar i Komisionit për lustrim, vlerësoi se procesi ishte ballafaqim me kundërshtarët politik.

“Si mund që Komisioni të jetë mbi sistemin juridik. Ishte vetëm ballafaqim me ata që nuk mendojnë si pushteti. Ju nuk më lustruat mua, por tërë familjen. Ju fëmijët e mi, që janë të mitur, i publikuat në ueb faqe. Si mund të lustroni dikë që ka vdekur. Atë që e bëri lustrimi ishte inkuizicion”, tha Babovski. Ish gjykatësi i Kushtetueses, Trendafil Ivanovski, i cili ishte edhe i lustruar, Komisionin e vlerësoi si antikushtetues. “Ky debat do të kishte qenë më mirë të organizohet në fillim të procesit të lustrimit. Në vend se të zbardh të kaluarën, ky proces solli terr dhe shumë padrejtësi. Duhej të ishte ndërprerë që në momentin kur shihej se po e prish rendin kushtetues”, deklaroi Ivanovski. Ndërkaq aktivistja Nora Shaqiri, vajza e gazetarit të lustruar Hisen Shaqiri, ka akuzuar kryetarin e Komisionit Axhiev se e ka lustruar të atin e saj pa asnjë argument të vetëm.

“Nuk qëndron asnjë argument i juaj për ta lustruar babain tim. Me cilin argument ju e lustruat babain tim? Nga DSK shprehen se nuk është i evidentuar në asnjë dokument. Ju jeni mbi gjithçka? Daut Dauti më ka thënë se babai im nuk është evidentuar në ndonjë dokument, por diku dikush ka dëgjuar emrin e tij”, theksoi mes tjerash Shaqiri. Bojan Mariçiq nga Qendra për studime Evropiane kujtoi se qysh në fillim të procesit është dashur të merren parasysh rekomandimet e BE-së. “Ligji ishte kontrovers që nga fillimi. Pyetja ime kryesore është pse përgjatë këtyre viteve u injorua zëri i shoqërisë civile, qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtarë. BE-ja qysh në vitin 2011 ka shprehur shqetësim për procesin e lustrimit. Pastaj kishim reagimin e Komisionit të Venedikut, ku theksohet se Komisioni për Lustrim po bën diferencime ideologjike. Procesi i lustrimit nuk e arriti asnjë qëllim, vetëm hapi plagë. Ishim dëshmitarë se lustrimi bëhej edhe me porosi”, potencoi Mariçiq.

Ndryshe, procesi i lustrimit është shpallur i përfunduar, kurse Komisioni për verifikimin e fakteve vepron vetëm për lëndët që aktualisht janë objekt animimi në Gjykatën administrative. /Koha/

Comments