“Ma mirë”; “Bëhu ndryshimi”; “Kosova fituese”: Opozita shpalos sloganet zgjedhore, VV-ja ende në heshtje

80

Pas PDK-së e LDK-së, edhe AAK-ja e Nisma kanë publikuar sloganet e tyre politike me të cilat do të garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në këtë javë, AAK-ja ka bërë me dije se slogani i saj do të jetë “Kosova fituese”, kurse Nisma ka njoftuar se votën e qytetarëve do ta kërkojë nën sloganin: “veç vepra”.

Liderët e këtyre partive kanë treguar domethënien e këtyre sloganeve.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se me Qeverinë Kurti Kosova ka qenë humbëse.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se me fitoren e koalicionit që po e udhëheq Kosova do të bëhet fituese.

“Veç kemi pasur disa vite të rënda për Kosovën, disa humbje vërtetë serioze. I kemi humbur dy mundësi për të pasur kapacitet të reja në energji, dikur atë me thëngjill dhe gazsjellësin amerikan, e humbëm mundësinë e afrimit me NATO, në samitin e 75, humben mundësinë e anëtarësimit në Këshill të Evropës, për katër vite humben mundësinë e marrjes se njohjeve, humben mundësinë e investimeve të huaja, dhe i humben edhe fondet e BE-së me anë të sanksione. Në përgjithësi sot shumica e qye tetarëve të vendit ndjehen humbës përgjatë këtyre katër viteve, edhe për faktin se shumicës se familjeve tona i ka ikur rinia. Një Kosovë fituese do të ishte e kundërta e kësaj që kemi pa”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka vlerësuar se me programin e tij do të shmangen këto humbje dhe Kosova do të bëhet fituese.

Gjithashtu, partneri i koalicionit të Haradinajt, Nisma Socialdemokrate këtë javë ka bërë me dije se slogani i saj do të jetë “veç vepra”.

Gjatë konventës, kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka shpjeguar domethënien e sloganit.

“Prandaj, tashmë ka ardh koha që të vlerësojmë secilin, jo mbi ato që thot, apo që premton, por mbi bazën e veprave. VEÇ VEPRAT! Kur në ishim në male, ata dyshonin në qëllimin dhe vizionin tonë, ata deklaronin që “nuk do ti kapnin armët kurrë, se çlirimi përmes luftës, nuk është rruga”, ata gabuan, ne u çliruam”, ka thënë Limaj.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë zbuluar sloganet zgjedhore kohë më parë.

Kandidatët për kryeministër të Partisë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, para një muaj kanë prezantuar sloganet e tyre zgjedhore. Bedri Hamza ka bërë me dije se slogani i tij për këto zgjedhje do të jetë “Kosova mundet ma mirë”, kurse Lumir Abdixhiku ka treguar se slogani i tij do të jetë “Bëhu ndryshimi”.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sloganin e tij e ka prezantuar të në Konventën e PDK-së, ku ka publikuar pjesët kryesore të programit të tij politik, duke përfshirë edhe propozimin për rritje të pagave prej 50 për qind.

“Kosova mundet ma mirë! Ne jemi gati t’ia japim Kosovës një të ardhme më të mirë. Jemi gati, sepse e dimë çfarë iu duhet, çfarë presin dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë qytetarët tanë. Jemi gati, sepse i dimë fuqitë dhe potencialet e vendit tonë. Gati, sepse dimë si ta arrijmë këtë! Ju falënderoj nga zemra për konventën e mrekullueshme!”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.

Pothuajse në të njëjtën kohë, sloganin e ka prezantuar edhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka ftuar qytetarët e Kosovës që të bëhen pjesë e këtij ndryshimi.

“Zgjedhjet e ardhshme përcaktojnë më shumë se sa fatin e një qeverie. Ato përcaktojnë fatin e vet Kosovës; si një vend i njerëzve të lirë që punojnë e jetojnë mirë, apo i një shteti të mbyllur, në zbrazje e përplasje tensionuese të pafundme! Unë kam zgjedhur ndryshimin! Dhe nga Prishtina, me 7 nëntor, së bashku me ekipin tim po nisim ciklin e tubimeve paraelektorale me qytetarë në çdo anë. Po nisim ‘Turneun e Ndryshimit’! Ejani, të gjithë, në tubimet tona tek qytetet e juaja. Ejani, të bëhemi bashkë, në përcaktimin e së ardhmes që e meritojmë! Bëhu pjesë e rrugëtimit tonë plot shpresë! Bëhu ndryshimi!”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Deri me tani vetëm partia në pushtet nuk e ka publikuar sloganin partiak.

VV-ja ende nuk ka dhënë ndonjë sinjal si cili pritet të jetë slogani me të cilin synon të mbledh vota për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Comments